Kosova në kokën e Vuçiqit, e pavarur dhe me kufijtë e njohur ndërkombtarisht

  • E.K /
  • 10 May 2022 - 13:15
Kosova në kokën e Vuçiqit, e pavarur dhe me kufijtë e njohur ndërkombtarisht

Kosova dhe “presioni për ta njohur”, janë pjesa më e zakonshme e deklaratave të përditshme të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Atij i pëlqejnë dramat dhe duke përsëritur se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, ai paraqitet para gazetarëve në Beograd për të thënë se ndërkombëtarët po i bëjnë presion të jashtëzakonshëm.

Një fotografi me hartën e Kosovës në kokën e Vuçiqit po qarkullon në rrjetet sociale. Kjo, si për të treguar se Kosova si shtet i pavarur është edhe në kokën e presidentit serb, ndonëse ende jashtë fjalëve të tij.

Vuçiq tha se së fundmi vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas tij, situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Putin më 26 prill e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.

Vuçiq tha më 5 maj se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.

Ai disa herë ka thënë se nuk mund të fle nga presioni për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)