Çka përfiton Kosova nga Këshilli i Evropës

  • E.K /
  • 12 May 2022 - 13:21
Çka përfiton Kosova nga Këshilli i Evropës

Njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se para aplikimit, Kosova duhet të pranojë një ftesë për anëtarësim, nga anëtarë të Këshillit të Evropës. E pas anëtarësimit, përfitimet janë mjaft të mëdha, ku pos tjerash, qytetarët mund të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas përjashtimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë, Kosova mund të bëhet anëtarja më e re e kësaj organizate. Për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova duhet të pranojë ftesë nga anëtarët e kësaj organizate, tregon për Radio Kosovën, Besfort Rrecaj, profesor universitar në Fakultetin Juridik.

“Statuti i Evropës e parasheh që ftesa për anëtarësim miratohet me 2/3 e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Evropës. Pas ftesës ajo që duhet të bëjë Kosova është të dorëzojë instrumentin e aderimit në këtë organizatë. Me dorëzimin e instrumenti të aderimit konsiderohet se që është anëtare e Këshillit të Evropës”, tha ai.    

Profesor Rrecaj thotë se me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, më së shumti përfitojnë qytetarët e Kosovës, që mund të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

“Të qenit anëtar i Këshillit të Evropës, nënkupton që Kosova është pjesë e Gjykatë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo i jep mundësi qytetarëve që eventualisht ndodhen në procedura gjyqësore në Kosovë dhe nuk janë të kënaqur me vendimet përfundimtare të organeve gjyqësore në Kosovë, që t’i adresohen edhe gjykatës, me qëllim të rivendosjes së të drejtës”, tha ai.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës dhe ka 46 anëtarë.

Pas paralajmërimeve për aplikim për anatëraësim, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka reaguar mbrëmë pas darkës joformale që u organizua nga shefi i diplomacisë evropiane Xhozep Borrell, ku mori pjesë edhe kryediplomatja, Donika Gërvalla. Vuqiq ka paralajmëruar “përgjigje serioze” për Kosovën në rast se aplikon për anëtarësim në KE.

(Kosova Sot Online)