Emisari gjerman në Kosovë, viziton Manastirin e Deçanit

  • E.K /
  • 13 May 2022 - 11:52
Emisari gjerman në Kosovë, viziton Manastirin e Deçanit

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka ardhur në Kosovë për një vizitë zyrtare. Vizitën ai e nisi dje në Manastirin e Deçanit ku është pritur nga igumeni Sava Janiq.

Për ardhjen e tij në Kosovë, ai njoftoi sot përmes një postimi në Twitter.

“Kënaqësi të vizitoja Manastirin e Deçanit dje dhe të flisja me Atin Sava.  Trashëgimia kulturore e Deçanit është pjesë e rëndësishme e Kosovës multietnike. Mezi pres që të vij prapë”, ka shkruar Sarrazin.

Emisari gjerman ditë më parë qëndroi në Serbi për vizitë zyrtare ku u prit nga udhëheqësit serbë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq. Nga Serbia, Sarrazin ka thënë se Bashkimi Europian duhet të mbajë zotimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i hequr regjimin e vizave Kosovës dhe duke hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë që nga emërimi në këtë post nga qeveria gjermane në shkurt të këtij viti. Sarrazin pati thënë se Gjermani e përkrah dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe dëshiron që procesi të rifillojë mes palëve.

(Kosova Sot Online)