Del para gjyqit në Kiev ushtari i parë rus

  • A.P /
  • 13 May 2022 - 16:17
Del para gjyqit në Kiev ushtari i parë rus

Një ushtar 21-vjeçar u bë i pari rus që gjykohet për krime lufte në një gjyq në Kiev, këtë të premte.

Vadim Shishimarin do të dalë përpara gjyqit për krime lufte. Ai akuzohet për vrasjen e një 62-vjeçari në rajonin Sumy të Ukrainës, sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm të vendit.

Siç thuhet nga Prokuroria, Shishimarin qëlloi për vdekje një civil të paarmatosur i cili po ngiste biçikletën përgjatë rrugës në fshatin Chupakhivka më 28 shkurt. Sipas prokurorit, trupat ruse hynë në fshat me një makinë të vjedhur që kishte rrotat e shpuara, shkruan CNN.

Kur panë një burrë që po shkonte me biçikletë në shtëpi derisa po fliste në telefon, njëri nga grupi urdhëroi rreshterin ta vriste me arsyen që të mos raportonte për ushtrinë ukrainase. Shishimarin dyshohet se ka qëlluar me kallashnikov disa herë përmes një dritareje të hapur të një veture në kokën e civilit, thonë prokurorët.

Nëse shpallet fajtor, Shishimarin përballet nga dhjetë vjet burgim deri në burgim të përjetshëm.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se ai nuk kishte “asnjë informacion” për rastin.

“Unë nuk kam informacion për këtë seancë gjyqësore apo për këtë rast. Nuk e di nëse kjo është e vërtetë. Nuk kam fare informacion për këtë”, tha Peskov gjatë një bisede të përditshme me gazetarët.

(Kosova Sot Online)