Gjykata e kthen në punë djalin e ish-presidentit Sejdiu

  • A.P /
  • 13 maj 2022 - 23:03
Gjykata e kthen në punë djalin e ish-presidentit Sejdiu

Gjykata Themelore në Prishtinë me afat rekord e ka kthyer në punë djalin e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, Bardhyl Sejdiun, pasi që lënda ishte aktivizuar vetëm gjashtë muaj pasi që Sejdiu më 2021 kishte paditur Telekomin e Kosovës.

Sejdiu është udhëheqës i departamentit të Shërbimeve Mbështetëse në Telekom.

Gjykata i ka kërkuar Telekomit që të kthejë përgjigje për lëndën e kthimit të Sejdiut në vendin e tij të punës dhe kompensimin e te ardhurave.

Aktvendimi i gjykatës, të cilin e posedon Paparaci, e ka detyruar Telekomin e Kosovës që në afat prej 15 ditësh nga dorëzimi i padisë, t’i paraqesë gjykatës përgjigje për rastin.

“E paditura është e detyruar që në përgjigje në padi t’i paraqes prapësimet procedurale dhe të deklaroj se a e pranon apo e konteston kërkesëpadinë e paditëses”, thuhet në aktvendim.

Ndryshe, djali i ish-presidentit Fatmir Sejdiu, Bardhyl Sejdiu në vitin 2019 ishte në garë për Drejtor Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

Ndonëse ka qëndurar jashtë vëmendjes së publikut, në vitin 2013 mediat kishin raportuar për përfshirjen e tij në një shkëmbim me armë zjarri.

Ai ishte sulmuar me armë zjarri nga një veturë në lëvizje në të cilën ndodheshin dy persona të cilëve u është përgjigjur me të shtëna. Në drejtim të sulmuesve, më pas, kishte shtënë edhe Sejdiu.

Rasti pati ndodhur në lagjen Taslixhe në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)