Roja VIP tregon sesi paguhet për t’u infiltruar në shtëpitë e milionerëve, të “eliminojë” rojet apo ‘të vrasë’ të famshmit

  • S.A /
  • 14 May 2022 - 08:51
Roja VIP tregon sesi paguhet për t’u infiltruar në shtëpitë e milionerëve, të “eliminojë” rojet apo ‘të vrasë’ të famshmit

Një ish-operativ i forcave speciale britanike ka treguar së fundmi sesi paguhej për të hyrë fshehurazi në shtëpitë e milionerëve, të zinte në kurth rojat e armatosura dhe të tentonte të vriste persona VIP.

Në një intervistë për britaniken The Sun, 38 vjeçari Guillaume Vetier, ka treguar sesi punësohej për të testuar çdo mënyrë për t’u infiltruar në shtëpitë e milionerëve ose në rrethet e tyre të sigurisë, dhe më pas t’i sulmonte.

Grupi i tij janë të gjithë ish-anëtarë të forcave speciale me nivel të lartë trajnimi në dyluftim, aftësi të cilat tani ata i përdorin për t’iu shmangur sistemeve më të mira të alarmit dhe rojeve të sigurisë.

Ata tregojnë sesi stërviten me plumba boje ose ‘thika’ me shënues me bojë, për të stimuluar sulme ndaj klientëve.

Guillaume, i cili drejton kompaninë e sigurisë Golem Protection thotë: “Thuajse të gjithë janë ish-anëtarë të forcave speciale. Kështu që më parë puna jonë e vërtetë ishte të vrisnim njerëz prej vërteti. Ndërsa tani mbrojmë njerëzit, pra jemi si të thuash në anën tjetër të gardhit”.

“Pak njerëz bëjnë testime depërtimi si ne por ne e bëjmë për të testuar grupin e mbrojtjes. Klientët tanë janë zakonisht njerëz të njohur, biznesmenë apo VIP-a të pasur nga e gjithë bota”.

“Ata na punësojnë pasi kanë dyshime për sigurinë e tyre, besojnë se mund të ketë rreziqe për jetën e tyre ose të familjarëve, të pronës apo sekreteve të tyre”.

“Kur duhet të hyjmë në një shtëpi, duhet të kalojnë sistemet e alarmit, t’i afrohemi personit dhe të përpiqemi ta vrasim. Në manovrat këtë pjesën e fundit sigurisht që e bëjmë me stimulim”.

Guillaume tregon se një operacion mund të kërkojë disa javë dhe nganjëherë grupi duhet të marrë një banesë me qira, ku një prej anëtareve femra të grupit duhet të hiqet sikur është nënë.

Ai kujton një prej infiltrimeve në një shtëpi dimërore të një familjeje të pasur zvicerjane që shqetësoheshin për sigurinë e tyre dhe informacioneve sekrete që mbanin.

Grupi kishte analizuar banesën e mbuluar nga dëbora dhe kishin vendosur të sulmonin teksa klientët po organizonin një darkë për klientë të pasur.

“Duhet të ngjiteshim mbi një strukturë në çati, ku shërbimet e sigurisë të mos na pikasnin”.

“Kishim kamera termale dhe syze me shikim për natën, i lamë ato në ballkon dhe më pas nisëm sulmin.  Neutralizuam grupin e mbrojtjes dhe bënim kujdes të mos trembnim të ftuarit apo mos të plagosnim dikë”.

Guillaume thotë se për çdo kontratë bëheshin planifikime të detajuara për të siguruar jetën e të gjithë atyre që merrnin pjesë, si dhe për t’u përshtatur ndaj ligjeve apo rregullave lokale në zonën e misionit të planifikuar.

Ai shton se testimet e misionit duhet të jenë sa më realiste pasi ka parë roje të vjetër sigurie që zihen nga paniku dhe largohen me vrap, duke braktisur klientët e tyre mes rrezikut.

“Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e njerëzve, prandaj duhet të ketë gjithmonë një element rreziku në testimin e grupit të mbrojtjes. Duhet të tregojmë kujdes, si për shembull nëse një shofer i çmendur të vjen për të të goditur me makinë, ose nëse ka armë dhe ne të sigurohemi që askush të mos i nxjerrë ose të qëllojë dikë”. “Në jeten tonë të mëparshme si forca speciale në luftë ne gjithmonë llogarisnim çdo rrezik  dhe tani e transferojmë këtë në botën civile për të mbrojtur ose mos plagosur të tjerët”, thotë ai.

(Kosova Sot Online )