Bild: Çmimet në Gjermani po rriten, blerësit po vidhen dy herë

  • E.K /
  • 16 May 2022 - 15:20
Bild: Çmimet në Gjermani po rriten, blerësit po vidhen dy herë

Në Gjermani çmimet e konsumit janë vazhdimisht në rritje, por sasia në ambalazhet e produkteve duket se ka rënë. Gazeta e njohur gjermane, Bild shkruan se përveç faktit që shumë produkte po shtrenjtohen, po ulet edhe pesha e tyre.

Kjo do të thotë që klientët tani paguajnë më shumë për më pak. “Konsumatorët në fakt janë vjedhur dy herë”, paralajmërojnë qendrat gjermane të konsumatorëve. 

Ekonomisti Gunther Schnabl i Universitetit të Leipzig-ut thotë se prodhuesit po përpiqen ta fshehin inflacionin duke ofruar më pak peshë në paketim. Ai paralajmëron konsumatorët që t’i kushtojnë vëmendje peshës.

“Shumë prodhues përdorin përbërës më të lirë, ndryshojnë recetat dhe ulin cilësinë e produktit. Konsumatorët do ta kenë edhe më të vështirë ta vërejnë këtë”, tha ekonomisti Schnabl për Bild. Ai gjithashtu dha një shembull dhe tha se qumështi pluhur përdoret më shumë në produktet e çokollatës sesa kakao. 

Bild ka shkruar disa shembuj të produkteve që kanë çmim më të lartë dhe peshë më të ulët. Një prej tyre është patatinat Pringles që dikur kushtonin 2.59 euro dhe peshonin 200 gramë dhe tani kushtojnë 2.79 euro, 185 gramë. Paketa e tabletave të lavastoviljes Somat Classic tani përmban vetëm 77 tableta, krahasuar me 82 më parë.

Ushqimi i maceve Sheba tani ka 66 gram ushqim në vend të 80, dhe çmimi ka mbetur i njëjtë, 99 cent. Prodhuesi e arsyeton çmimin më të lartë me një “recetë krejtësisht të ndryshme”. 

Çmimi i djathit të përpunuar Mikana ishte 1.99 euro, ndërsa tani kushton 2.29 euro. Përveç kësaj, paketimi është më i vogël.

(Kosova Sot Online)