A mund ta bindë Albin Kurti dikë në SHBA që të investojë në Kosovë?

  • A.P /
  • 16 May 2022 - 18:15
A mund ta bindë Albin Kurti dikë në SHBA që të investojë në Kosovë?

Vështirë se Albin Kurti do ta bindë dikë në Amerikë që të vijë dhe të investojë në Kosovë. Njohësit e çështjeve ekonomike janë pesimistë se do të dalë diçka konkrete nga vizitat e kryeministrit nëpër kompani amerikane të njohura në mbarë botën.

Është dita e dhjetë prej që kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara. Shefi i qeverisë vizitoi kompani të njohura globalisht në Kaliforni e Teksas dhe suksesi ose mossuksesi i kësaj vizite po thuhet se do të shihet më vonë. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj nuk presin të lëvizë diçka në ekonominë e Kosovës nga ky aktivitet i Kurtit.

Haki Shatri nuk beson se kryeministri mund të jetë shtysa vendimtare për t’i bindur korporatat e mëdha në Amerikë që të investojnë në Kosovë. Ai i quan shëtitje vizitat e Kurtit atje.

“Unë jam skeptik që do të dalë diçka prej kësaj shëtitje. Nuk e dimë as me kë ka kontaktuar… Atje ka plot korporata. Për të ardhur ata këtu, ata i kanë paratë e veta dhe shohin mirë ku duan ta angazhojnë kapitalin e tyre. Ata e kanë linjën e tyre të informimit, ambasadat, njerëzit e tyre, ata menjëherë marrin informata”, tha Shatri 

Për të tërhequr investitorë të huaj, ai thotë se duhet të krijohen kushte në sundimin e rendit dhe ligjit e të sigurohet infrastruktura e nevojshme.

“Këto janë kriteret, kushtet që i kërkon një biznes i mirëfilltë”, thotë Shatri, i cili thekson se Qeveria për një vit “s’ka bërë asnjë veprim në këtë drejtim.

“Shpresa vdes e fundit”, thotë ndërkaq, Ismet Mulaj, që edhe për të është shumë e vështirë të pritet që ndonjë kompani e madhe amerikane ta zgjedhë Kosovën për të investuar. Në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, sipas tij, Kosova mund të jetë atraktive, megjithatë.

“Natyrisht që pa një përpjekje të madhe lobuese si dhe ofertë konkrete është e vështire që të binden për të investuar në Kosovë. Kosova është treg i vogël por në fushën e ICT mund të jemi atraktivë. Kemi një rini të trajnuar në këtë fushë si dhe flasin gjuhë të huaja. Një mundësi e mirë është edhe ITP Prizren”, tha Mulaj

Ai i konsideron me interes të veçantë vizitat e Kurtit nëpër bizneset liderë në tregun botëror pasi, siç thotë “e bën Kosovën të njohur duke i promovuar potencialet investuese në vendin tonë”.

Bizneset në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, Mulaj beson se kanë potencial të ofrojnë shërbime në këtë fushë.

Ish-drejtori i Odës së Afarizmit propozon “një lobim të përhershëm”.

“Kosova ende pas 21 vitesh pas luftës nuk ka arritë që ta tërheq ndonjë investitor global, prandaj një lobim i përhershëm te bizneset globale do të ishte me interes edhe në përmirësimin e imazhit të vendit dhe ekonomisë tonë në bote. Shpresoj që edhe ministrat e linjës të jenë më aktivë në këtë drejtim me qellim që vizitat e kryeministrit të jene më shumë takime konkretizimi sesa lobimi”, tha ai.

Shatri, ndërkaq, thotë se frikësohet nga qasja e kryeministrit të Kosovës.

“Është ultra e majtë. Karshi problemeve ekonomike që i ka Kosova, nuk është në frymën e amerikanizmit. Ata kanë tjetër qasje”, thotë ai.

Më herët, Shatri thotë se ka ndodhur që edhe investitorët vendorë kanë ikur prej Kosovës për të shkuar në Maqedoninë e Veriut.

Qasjen e qeverisë aktuale në fushën e ekonomisë, Shatri e konsideron “të gërditshme”, ndërsa thotë se me të, “varfëria është duke u thelluar”.

(Kosova Sot Online)