Ministrat e BE’së që merren me vizat, në takimin e 10 qershorit s’e kanë në agjendë Kosovën

  • E.K /
  • 17 May 2022 - 14:22
Ministrat e BE’së që merren me vizat, në takimin e 10 qershorit s’e kanë në agjendë Kosovën

Ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së që trajtojnë çështjen e liberalizimit të vizave nuk e kanë në agjendë Kosovën në takimin e tyre më 9 dhe 10 qershor. Burime diplomatike  brenda BE-së thonë se diskutimet për heqjen e vizave kanë mbetur në nivelin teknik të Këshillit të BE-së.

Udhëheqësit e shteteve të BE-së do t’i zhvillojnë dy takime deri në fund të presidencës franceze të BE-së, aty ku mund të shmangen procedurat ministrore dhe të vendoset që Kosovës t’i hiqen vizat.

Një takim special sipas kalendarit të Këshillit të BE-së do të mbahet më 30 dhe 31 maj dhe një tjetër më 23 dhe 24 qershor. Megjithëse Franca si njëra nga shtetet skeptike për t’i dhënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave s’pritet ta shtyjë përpara këtë çështje në agjendën e Këshillit të cilën do ta kryesojë deri më 30 qershor 2022.

Por, ministrat e brendshëm të unionit s’e kanë në agjendë trajtimin e çështjes së vizave për kosovarët.

Kështu i thanë Gazetës Express burime brenda Bashkimit Evropian.

“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është në agjendën e punëve të brendshme të Këshillit që mbahet më 9 dhe 10 qershor”, ka thënë ky burim.

Tutje ky burim i tha Gazetës se diskutimet për viza kanë mbetur në nivelin teknik të grupit punues për viza në Këshill por që disa shtete akoma kanë shqetësime për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga BE-ja.

“Diskutimet për liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivel teknik brenda Këshillit. Propozimi për t’i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave u paraqit nga Komisioni Evropian në Këshill dhe në Parlamentin Evropian në vitin 2016, pasuar nga një raport në vitin 2018 që tregonte se Kosova kishte përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Është mbi bazën e këtij propozimi që Këshilli e ka diskutuar këtë çështje me synimin për të rënë dakord për një mandat negociues për të filluar diskutimet me Parlamentin Evropian. Megjithatë, ende nuk është arritur një mbështetje e mjaftueshme për një propozim për shkak të shqetësimeve të një numri shtetesh anëtare në lidhje me përmbushjen e standardeve të kërkuara”, ka thënë ky burim i BE-së.

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, tha se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave dhe e njëjta duhet të ndodhë sa më parë.

“Komisioni Europian, pjesë e të cilit jam edhe vetë, disa herë ia ka paraqitur Këshillit Europian se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Ne e përkrahim liberalizimin e vizave”, tha Borell.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës ende nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

Në korrik të vitit 2016, Komisioni Evropian kishte konsideruar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe i rekomandoi shteteve anëtarë të Bashkimit Evropian heqjen e regjimit të vizave. Të njëjtin rekomandim KE e ka bërë edhe në vitin 2018.

Në anën tjetër Parlamenti Evropian, ka ripërsëritur me shumicë votash mbështetjen në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vendimi final mbetet te Këshilli i Ministrave. Aty nevojitet shumicë e kualifikuar që të kalojë ky vendim.

Deri tash, votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është prezantuar asnjëherë në takimet e ministrave të BE’së shkaku i skepticizimit të disa shteteve anëtare të BE-së.

Mosliberalizimi i vizave është parë si mospërmbushje e premtimeve të BE-së karshi Kosovës.

(Kosova Sot Online)