Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dyfishon obligimet e shtetit për fuqizimin e shtetit të së drejtës, reformat e thella në drejtësi

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës  dyfishon obligimet e shtetit për fuqizimin e shtetit të së drejtës, reformat e thella në drejtësi

Gani Qarri

  • 17 May 2022 - 07:34

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Reformat në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë një proces që në mandatet e kaluara të qeverisjes, vetëm ka vendnumëruar dhe kaluar vitet, pa bërë asnjë hap përpara, vetëm duke improvizuar, pa marrë kurrë qasje serioze për dy dekada me radhë.

-Pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, institucioneve të shtetit të Kosovës po u shtohen edhe më shumë obligimet për forcimin e sistemit të drejtësisë, pasi që shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit është fushëveprimi i kryesor i KE-së. Madje këtë standard jetik për mbarëvajtjen e shtetit, krerëve të Kosovës ua ka rikujtuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, i cili në mes tjerash deklaroi: “Mezi po presim ta shohim Kosovën si pjesë të familjes së Këshillit të Evropës dhe vend që punon për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës, prandaj popullit të saj, i urojmë të gjitha të mirat në rrugëtimin e anëtarësimit”, ka shkruar ambasador gjerman Jorn Rohde në Tvitter.

Reformat në sistemin e drejtësisë në Kosovë janë një proces që në mandatet e kaluara të qeverisjes, vetëm ka vendnumëruar dhe kaluar vitet, pa bërë asnjë hap përpara, vetëm duke improvizuar, pa marrë kurrë qasje serioze për dy dekada me radhë. Vetëm pas ndryshimeve politike në Kosovë, Qeveria e re ka iniciuar me përkushtim pakon komplete të legjislacionit antikrim, si; Ligjin për Konfiskim të pasurisë së pa justifikueshme, Ligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe Ligjin Vetting, që është njëri nga ligjet më të rëndësishme dhe pothuajse faktori kryesor për gjithë sistemin e drejtësisë në vend. Ky vlerësohet si procesi më serioze i reformimit të sistemit të drejtësisë, në të gjitha vitet e pas luftës në Kosovë, ndërsa kulmi i reformës, padyshim është Vettingu në sistemin e drejtësisë, si shtylla më jo funksionale, e politizuar dhe e ndikuar, drejtpërsëdrejti nga politika e inkriminuar dhe grupet jo formale e kriminale të interesit, për çka vazhdimisht edhe është kritikuar me fakte, nga shoqëria civile dhe diplomatët e huaj. Kështu që pikërisht në pritje të Opinionit të Komisionit të Venecias për Koncept-Dokumentin për Vetting, nën organizimin e Grupit për Studime Juridike e Politike, si dhe Komisionit për Legjislacion, është mbajtur edhe diskutimi për procesin e finales së pakos ligjore të reformës në drejtësi, me theks të veçantë në Ligjin Vetting , për të cilin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha të premten se Vettingu ka qenë edhe njëri prej zotimeve kryesore para ardhjes në pushtet.

Prandaj, ky propozim i Qeverisë, nuk ka dalë dosido por do të finalizohet si duhet dhe synon integritetin moral e profesional të Prokurorëve dhe Gjyqtarëve. Sipas ministres së drejtësisë, Vettingu si proces, do të jetë i pavarur dhe do të monitorohet në vijimësi nga partnerët tanë ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngase ideja e Vettingut është që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë integritet moral e profesional dhe pasurinë ta kenë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Qeveria as Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk do të ketë fare ndikim dhe ai do të jetë proces komplet i pavarur, i mbikëqyrur në vijimësi nga partnerët tanë ndërkombëtar, kurse përzgjidhja e personave që do ta përbëjnë mekanizmin e pavarur të Vettingut do të ndihmohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, specifikisht nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".