Tërnava i kërkon zyrtarëve sauditë “angazhim më të theksuar” për njohjen e Kosovës

  • A.P /
  • 17 May 2022 - 15:46
Tërnava i kërkon zyrtarëve sauditë “angazhim më të theksuar” për njohjen e Kosovës

Kryemyftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është pritur nga ministri për Çështje Fetare i Arabisë Saudite, Abdul-Latif al-Shejh. Ky i fundit i tha Tërnavës se vendi dhe populli i tij gëzojnë respekt dhe simpati të veçantë për popullin kosovar, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet thelluar.

Tërnava, që përveç çështjeve fetare preku edhe temat politike me ministrin saudit, i kërkoi atij “angazhim më të theksuar në arenën ndërkombëtare, sidomos për lobimin për njohje të reja të shtetit të Kosovës”, nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Myftiu Tërnava po ashtu e njohu ministrin për zhvillimet e fundit në rajon dhe ndikimin e ndodhive të ndryshme në zhvillimet në rajon.

Abdul-Latif al-Shejh ka theksuar se Arabia Saudite, populli i saj, Qeveria dhe mbreti i saj, Selman bin Abdulaziz al-Saud, janë të përkushtuar për bashkëpunim, mirëqenie dhe prosperitet për të gjithë popujt myslimanë të botës dhe popujt e tjerë miq, siç thuhet në kumtesën e BIK-ut.

Po ashtu, BIK njofton se ministri saudit ka shprehur përkushtimin të Arabisë Saudite për luftimin e ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe për respektimin e të gjitha besimeve për një bashkëjetesë të mirëfilltë pa dallim feje, race, gjuhe dhe etnie.

Tërnava, duke falënderuar Mbretërinë e Arabisë Saudite për përkrahjen e ofruar për Kosovën në periudha të ndryshme dhe në fusha të ndryshme njohu nikoqirin me punën dhe aktivitetet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me sfidat që ka ky institucion, në veçanti gjatë dhe pas periudhës së ballafaqimit me pandeminë Covid-19, duke theksuar kështu përkushtimin e BIK-ut për kultivimin e bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare ndërmjet qytetarëve të Kosovës. Tërnava gjithashtu e falënderoi atë për kujdesin e dy xhamive të shenjta, asaj në Meke dhe në Medine, si dhe për shërbimet e ofruara për vizitorët e tyre.


(Kosova Sot Online)