Gjykata vendos për rreshterin që dyshohet se rrahu të dashurën e tij police

  • G.G /
  • 19 May 2022 - 13:28
Gjykata vendos për rreshterin që dyshohet se rrahu të dashurën e tij police

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të pandehurit S.H, i dyshuar për vepat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “kanosja”.

Sipas Gjykatës, gjatë kohës së arrestit shtëpiak i njëjti nuk mund të largohet nga shtëpia e tij përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave jetësore dhe vetëm me lejen e gjykatës.

“Në rast të shkeljes së kësaj mase, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit”, njofton gjykata.

“Të pandehurit iu caktua masa e arrestit shtëpiak pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, konstatoi se pretendimet e prokurorit të shtetit se ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e paraburgimit si masë më e rëndë izoluese për të penguar rrezikun e ndikimit në dëshmitar dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndrojnë, pasi gjykata është e bindur se edhe me masën e arrestit shtëpiak mund të arrihet pengimi i ndikimit në të dëmtuarën si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprës penale. Andaj, duke pas parasysh se sipas nenit 173 par.2 të KPRK-së sipas së cilës “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet ti merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të siguroj që të mos zbatoj masën më të rëndë kur mjafton masa më e butë”, gjykata vlerësoj se duke ju referuar rrethanave të rastit, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë si masë më e rëndë duhet të caktohet vetëm si masë përjashtuese, ngase mbajtja e të pandehurit në paraburgim asnjëherë nuk duhet të jetë masë ndëshkuese, por duhet të kihen parasysh faktet e çështjes penale për çka ka gjetur se në rastin konkret masa e arrestit shtëpiak ofron siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.

 Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Në media u raportua se rreshteri sulmoi fizikisht një zyrtare policore, jashtë detyrës dhe të njëjtit ishin në lidhje dashurie.

(Kosova Sot Online)