Rrahja e nxënësve me rrip dhe ndarja e nxënësve në Festën e Abetares kthen vëmendjen te shkollat

  • A.P /
  • 19 May 2022 - 15:53
Rrahja e nxënësve me rrip dhe ndarja e nxënësve në Festën e Abetares kthen vëmendjen te shkollat

Dy raste që kanë ndodhur gjatë ditëve të fundit në dy shkolla të vendit, e kanë rikthyer vëmendjen tek arsimi në Kosovë. Njëri rast ka ndodhur të premten në Dragash, ku mësuesi ka rrahur nxënësit me rrip, e tjetri pardje në Pejë, ku nxënësit nga komuniteteve pakica, u lanë anash gjatë Festës së Abetares. Për këtë të fundit, ka pasur shumë reagime.

Në një festë, ku ishte e pranishme edhe vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpërfaq racizmi ndaj nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Fjala është për Festën e Abetares, që u organizua, të martën, në Karagaç të Pejës.

Në qendër të sallës ku mbahej ceremonia ishin grumbulluar shumë nxënës të klasave të para, derisa nxënësit e komuniteve i shikonin të vetëm nga ulëset e shikuesve. Prej aty, as pamjen se kishin fortë të qartë, por kjo nuk i pengonte që ta shijonin këtë festë.

Uljen e tyre në atë hapësirë të objektit ku s’ndodhej askush tjetër e ndaras nga fëmijët e tjerë, mësuesja e tyre u mundua ta arsyetojë duke thënë se ishte dëshirë e vetë nxënësve.

“Patën vetë dëshirë me u ul këtu, pa asnjë qëllim tjetër. Dmth vetëm dëshira jonë që u ndimë se hapësira ke ma e madhe. Normal që dëshira e fmive ka qenë me qenë poshtë se ju ka dok ma afër, por pa asnjë arsye tjetër”, tha mësuesja Xhylfidane Morina.

Por, të njëjtit sapo u pyetën nga gazetarja se pse janë ulur aty, e “zbuluan” mësuesen. Thanë se dëshira e tyre ishte që të ishin poshtë me nxënësit e tjerë, por mësuesja ua kishte caktuar tashmë vendin.

“Po kena pas qef, po qitu tha mësuesja, qitu u ula. U ulëm me shoqni”, tha njëra nga nxënëset.

 “Mësuesja na tha (uluni këtu)”, thanë dy nga fëmijët e tha tjetri nxënës, që po e shijonte Festën e Abetares prej larg.

Reagime të shumta janë bërë në rrjete sociale për këtë rast. I pari që reagoi ishte Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se ndihet i shqetësuar për rastin.

Ai tha se ka kontaktuar me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku është njoftuar se rasti është duke u trajtuar.

“Ndihem i shqetësuar shumë për rastin e sotëm ku nxënësit e komuniteteve janë lënë anash në festën e Abetares, në një organizim në Pejë.  Si ministër, si qytetar i këtij komuniteti dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, përveçse e dënoj ashpër këtë gjest, ftoj institucionet që të thirren në përgjegjësi personat kompetent, të cilët e kanë bërë këtë gjest të rëndë.

Pas Krasniqit, reagoi edhe e para e MASHT’it, Arbërie Nagavci, e cila tha se ky rast do të shqyrtohet me prioritet nga Drejtoria për Arsim në Pejë.

“Si ministre e MASHTI shpreh shqetësimin e thellë për rastin e raportuar në medie  si diskriminues për pjesëmarrjen e nxënësve nga komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas në aktivitetin e sotëm të Festës së Abetares, në Pejë!  Këtë rast që bie ndesh me organizimin gjithëpërfshirës, do ta shqyrtojmë me prioritet që nesër, me DKA-në e Pejës.  Parimi i mosdiskriminimit është pjesë e politikave dhe veprimeve tona në vazhdimësi, prandaj duhet respektuar dhe zbatuar në të gjitha nivelet”, shkroi Nagavci.

Pas këtyre reagimeve mësuesja dhe Drejtori i shkollës ku ndodhi ky rast, janë deklaruar dje për media.

Mësuesja dha një arsyetim ndryshe nga ai i të martës. Për pjesën ku ishin të ulur fëmijët e komuniteteve, Morina tha se e zgjodhën për të mos e penguar festën dhe se ata s’janë në klasë të parë.

“Nuk është paralele e ndarë, por fëmijët janë të moshave madhore që s’kanë qenë kurrë në shkollë. Kjo klasë ekziston qe 13 vite. Ne ishim dje në mësim deri në ora 10:00. Prej orës 10:00 deri në ora 13:00, kemi qenë në park të qytetit në Karagaq të Pejës, me një aktivitet që është ndërlidh me planprogram. Me të gjithë nxënësat isha, por një grup i nxanësave që janë më të vegjël, kanë kërku ka jemi ardh, mësuese a të shkojmë edhe na të marrim pjesë në Festën e Abetares. S’kam hezitu aspak, mënjëhere thash po shkojmë, nuk është kurrfarë problemi. Kemi shku i kemi bë 10 kapele që kam dasht t’I kenë fëmijët që të mos ndihen keq, dhe kur na kemi shku në 13:30, gati kur është kry festa dhe kemi shku e kemi gjet qat hapësirë që ka qenë më e zbrazët që mos me i pengu tjerët dhe kemi shku jemi sistemu aty, pa asnjë qëllim tjetër e diskriminim, vetëm me dëshirë që mos me pengu festën. E kemi caktu qat hapësirë që e kemi pa më të arsyeshme që mos me pengu festën”, ka deklaruar Morina.

Ajo ka thënë se të gjithë nxënësit e komuniteteve që janë në klasë të rregullta kanë marrë pjesë në Festën e Abetares

“Në shkollë tonë kemi të komunitetit RAE që janë në klasa të rregullta. Po, ata rregullisht kanë marrë pjesë në festa, asnjëherë s’jam diskriminu. E vetmja shkollë është që I trajtojmë në mënyrën më të barabartë dhe në mënyrën më të mirë. Mirëpo, nuk mundemi me i qit këta të moshës madhore, 10 vjet me nxënësin që i ka 6 vjet”, ka thënë mësuesja.

Edhe Drejtori i shkollës “Xhemajl Kada” e ka mohuar që nxënësit e komunitetit rom, ashkalinj e egjiptian janë lënë anash në festën e organizuar për nder të përfundimit të Abetares.

Sipas tij, ata nxënës s’kanë qenë farë në klasë të parë, por se vetëm kanë shkuar ta përcjellin festën, me leje të mësueses dhe të tij.

“Ai komunitet prej 10 nxënës kanë shprehë vullnet me ardhë me pa programin. Ata nuk janë bashkëmoshatarë të klasës së parë. Është mësimi intensiv, që unë i kam diku 50 nxënës që nuk janë të kategorisë së njejtë të tyre. Nuk janë bashkëmoshatarë të tyre, nuk e kanë mësu ata alfabetin, ata veç janë tu ec tu ec ma tutje.  Kanë shpreh vullnet me ardhë me pa programin, edhe në qat mënyrë janë fut në sallë dhe janë sitemuar aty. Kanë shpreh vullnetin edhe vetë ata, se po shohim ma mirë. Tash mediat unë s’di ca po bëni ju në këtë mënyrë, vec hor jeni tu na ba në tana anët se s’jeni tu ba për komunitetin”, ka deklaruar ai.

Një ditë pas manifestimit Ministrja Nagavci u kthye në shkollën e Pejës për të takuar drejorin dhe arsimtaren. Pasi u kthye në kryeqytet shkroi “Diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona!”.

“Vizitova sot shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, për t’u informuar nga afër për rastin e djeshëm të raportuar nga mediat në “Festën e Abetares”, si rast diskriminues për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian.

Me këtë rast, vizitova disa klasa të integruara të mësimit të rregullt dhe bisedova me udhëheqës të shkollës dhe me mësimdhënës për rastin e ndodhur, por edhe për punën që bëhet në këtë shkollë, e cila ka rreth 1400 nxënës, prej tyre rreth 230 të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe rreth 100 boshnjakë.

Pamjet e mbrëmshme ishin shqetësuese për të gjithë ne. Këto pamje janë të papranueshme dhe diskriminimi nuk ka vend në shkollat tona” shtoi ministrja.

Rrahja me rrip nga arsimtari në Dragash

Ndërkohë, një rast i dhunës është regjistruar të premten që shkoi në një shkollë në Dragash.

Nxënësit e shkollës “Ilmi Bahtijari” në Blaç të Dragashit, kanë thënë se mësimdhënësi i matematikës D.M, i rrahu me rrip.

Ata kanë deklaruar se ndaj tyre u ushtrua dhunë pasi mësimdhënësit nuk i pëlqyen përgjigjet e nxënësve, që vijojnë mësimet në klasën e 8.

“Na ka rreh 11 vetave atë ditë. Krejt kemi pas lëndime në duar e krah shenja”, ka thënë një nxënëse.

Një tjetër ka thënë  edhe se mësimdhënësi u ka kërkuar që të zgjedhin nëse do të goditen në shpinë apo në duar.

“Një ditë ia ka marr rrypin një nxënësi, e ka detyru me ia dhanë. Ai na tha nëse nuk i mbani duart, atëherë shpinës”.

E pasi prindërit e kuptuan për dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve të tyre, një prej tyre vendosi t’i drejtohet Policisë së Kosovës.

“Është i treti vit që rrehen këta fëmijë, sepse është i treti vit që i mëson. Edhe nuk e kam toleru. E kam lënë në dorë të shtetit, ministrisë e gjykatave. Tash te shohim çka po veprojnë”, ka thënë ai.

Nga Drejtoria e Shkollës kanë deklaruar se ky rast s’është raportuar nga nxënësit, derisa nga Drejtoria për Arsim e Komunës së Dragashit e kanë konfirmuar se për të njëjtin mësimdhënës ka pasur ankesa edhe më herët.

Ata kanë thënë se po presin raportin e Policisë së Kosovës, të cilët e kanë konfirmuar rastin dhe thanë se hetimet po vazhdojnë me procedurë të rregullt.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, mbi të dyshuarin rëndojnë akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.


(Kosova Sot Online)