Tahiri ia lypë rrogën Kurtit për Fondin e Sigurisë

  • A.P /
  • 19 May 2022 - 16:59
Tahiri ia lypë rrogën Kurtit për Fondin e Sigurisë

Në debatin parlamentar për çështjen e sigurisë në vend, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri zgjodhi të flasë më shumë për Fondin e Sigurisë të themeluar nga Qeveria për ta ndihmuar ushtrinë e vendit.

Tahiri tha se kryeministri Albin Kurti do të duhej ta ndante një pagë për këtë fond, ndërsa ishte i gatshëm të vënte bast me mandatin e tij të deputetit se “nuk janë mbledhur as 2 milionë euro”

“Ju kujtohet.. Qe po ju them. Kur erdhën vaksinat, kryeministri shumë mirë, dha shembull, i pari shkoi dhe e mori vaksinën. Në rregull është. Pati kritikë, pati që thanë ‘shumë mirë’.. OK. Por kur u themelua Fondi, do të duhej me qenë prapë një simbol, do të duhej prapë kryeministri i Republikës së Kosovës me e dhënë rrogën i pari edhe me thënë ‘unë, së bashku me kabinetin tim qeveritar, pagat e prillit do t’i derdhim të gjithë në Fondin e Sigurisë’. Nuk e bëtë”, tha Tahiri.

Ai tha se kanë pritur gjithashtu “angazhim më të madh paralamentar prej mazhorancës”.

“Por ju shkuat hala ma keq. E klasifikuat. E bëtë sekret”, tha Tahiri.

Më tej, ai u shpreh i bindur se në këtë fond nuk janë mbledhur më shumë sesa 2 milionë euro.

“Dhe sot, kur kanë shkuar rreth 75 ditë unë jam i bindur – dhe nëse s’del kështu, unë po vë bast dhe po e lë mandatin e deputetit – nëse kanë kalu mbi 2 milionë euro, nëse janë dhënë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, deri në këto momente, unë e lë mandatin tim. Sepse as 2 milionë euro nuk keni arritë me i mbledhë”, tha Tahiri.

“Kënd do ta fajësoni? Shoqërinë a?”, shtoi ai.

Sipas tij, shumca që thotë se është mbledhur për Fondin e Sigurisë “është një marre e madhe”.

“Do të duhej minimumi 20 milionë euro me u mbledhë”, tha Abelard Tahiri.


(Kosova Sot Online)