ATK: Do t’i monitorojmë sallat e dasmave e këngëtarët për mospagesat e tatimeve

  • A.P /
  • 19 May 2022 - 17:13
ATK: Do t’i monitorojmë sallat e dasmave e këngëtarët për mospagesat e tatimeve

Shërbimet e gastronomisë dhe hotelerisë e këngëtarët do të jenë nën monitorim specifik nga ana e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Kështu ka njoftuar ATK-ja, duke thënë se bazuar në të dhënat e përmbushjes gjatë vitit 2021, kjo industri renditet si njëra ndër industritë me nivelin më të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore.

Sipas ATK-së kjo i ka shtyrë ata që të t’i kushtojnë monitorim specifik këtyre veprimtarive.

Sipas ATK-së, problemet më specifike me këto veprimtari është që nuk i deklarojnë të hyrat që i fitojnë e as nuk i deklarojnë punëtorët.

Poashtu, ATK thotë se këto veprimtari pranojnë pagesa cash e nuk mbajnë evidenca për mbrëmjet muzikore e pagesat për shërbime.

“Administrata Tatimore e Kosovës, kërkon nga secili tatimpagues nga çfarëdo aktiviteti ekonomik që zhvillon që t’i kryej përgjegjësitë e kërkuar tatimore që kalkulohen sipas legjislacionit tatimor, me qëllimin e vetëm që mos të jenë pre e ndëshkimeve tatimore’, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Administrata Tatimor e Kosovës edhe më herët ka pasur aksione në salla të dasmave e në diskoteka, ku kishte kërkuar dëshmi për pagesë tatimesh nga sallat e dasmave, këngëtarët e kameramanët.

(Kosova Sot Online)