AAK i përkrah kërkesat e sindikalistëve: S’po dalin në rrugë prej qejfit

  • A.P /
  • 20 May 2022 - 15:47
AAK i përkrah kërkesat e sindikalistëve: S’po dalin në rrugë prej qejfit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media për të shprehur përkrahjen ndaj kërkesave të sindikalistëve drejtuar Qeverisë.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë zgjidhja e vetme për përmirësimin e mirëqenies sociale në vend është implementimi i Ligjit të Pagave.

“Qeveria e Kosovës, tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza. Kriza politike, ekonomike e mbi të gjitha po vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies në vend, duke varfëruar qytetarët çdo ditë e më shumë. Greva e sotme e sindikalisteve, duke përfshirë dhe mësimdhënësit, vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjidhje por vetëm kriza”, tha ai.

Deputeti i AAK-së tha se mësimdhënësit janë duke u diskriminuar dhe se ata po detyrohen të dalin në rrugë për t’i kërkuar të drejtat e tyre.

“Mësimdhënësit, që ishin dikur shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po shtypet e po diskriminohen nga kjo qeveri. Qeveritaret duhet ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjenden në një situatë tejet të pafavorshme sociale-ekonomike, dhe në këtë situatë janë nga pazotësia e Qeverisë për t’i ofruar zgjidhje”.

Dreshaj theksoi se e vetmja zgjidhje për këtë situatë është sjellja me urgjencë e Ligjit të Pagave.

“I kujtojmë Qeverisë se arsimi dhe shëndetësia ishin dy shtyllat themelore që ruajtën substancën shqiptare në vend gjatë viteve të 90-ta ta dhe mbajtën gjallë shpresën për një të nesërme më të mirë”, përfundoi Dreshaj.

(Kosova Sot Online)