Dikur njerëzit në masë i mblidhte Kurti sot Rrahman Jashari po e nxin sheshin kundër tij

  • A.P /
  • 20 May 2022 - 16:26
Dikur njerëzit në masë i mblidhte Kurti sot Rrahman Jashari po e nxin sheshin kundër tij

Mijëra punëtorë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së BSPK-së për protestë. Ata e kanë nisur marshin e tyre nga sheshi Zahir Pajaziti, përderisa do të shkojnë deri te qeveria. Kjo protestë nisi me thirrjen “Kryeministër, realizo kërkesat tona. Parandalo grevën e përgjithshme”.

Tutje, nga protesta janë dëgjuar edhe thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që sipas tyre, të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga, por ta bënë atë ose t’i ngritë pagat.

E në fjalën e tij kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se punëtorët arsimor janë shtylla e shtetit. Hykolli tutje ka shtuar se punëtorët e sektorit publik kërkojnë rritjen e pagave për 100 euro, sipas tij një kërkesë e arysyeshme.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social Qeverisë se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet, por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë., Jemi këtu që t’i themi se derisa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, Qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin, sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë ai.

Në këtë protestë morën pjesë një numër i madh i mësimdhënësve nga e gjithë Kosova.

Edhe pse protesta është paralajmëruar të jetë e qetë aty janë parë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të policisë pranë objektit të qeverisë. Kjo protestë nisi me thirrjen “Kryeministër, realizo kërkesat tona. Parandaloje grevën e përgjithshme”

(Kosova Sot Online)