Pse s’ka njoftim se Ministri Latifi është kthyer nga SHBA

  • A.P /
  • 20 May 2022 - 17:13
Pse s’ka njoftim se Ministri Latifi është kthyer nga SHBA

Prej 15 ditësh, sipas lajmërimeve në faqen e Ministrit të Shëndetësisë, ministri Rifat Latifi po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky nuk është qëndrimi i parë i gjatë në Amerikë. MSH-ja e ka quajtur këtë “udhëtimin e parë zyrtar”. Në faqen e ministrisë thuhej se Latifi do të merrte pjesë në një konferencë më 6 maj, të njëjtën ditë kur u dha njoftimi se Kurti ka udhëtuar në SHBA

Ministri Latifi kishte ardhur nga Amerika për ta udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Por, ai kurrsesi nuk po arrin të ndahet nga shteti ku po vepronte deri në fundin e vitit të kaluar. Është raportuar se, për gjashtë muaj prej kur e  ka marrë detyrën, Ministri Latifi ka shkuar disa herë në SHBA.

Njoftimi i fundit për aktivitet të ministrit në Kosovë ka qenë më datë 2 maj. Në ditën e festës së Bajramit, Latifi e ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Më 5 maj, në faqen e ministrisë së Shëndetësisë është njoftuar se ministri do të marrë pjesë në një konferencë në Amerikë. Bashkëngjitur në njoftim ishte edhe një CV e shkurtër e Latifit, ku përsëritej se ai është “kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe autor i 20 librave shkencorë në fusha të ndryshme të kirurgjisë dhe Telemjekësisë”. Prej atëherë, ministri është lajmëruar rrallë për ndonjë aktivitet.

Njoftimi i fundit rreth qëndrimit të ministrit Latifi në SHBA është bërë para 5 ditës, ku thuhej se kjo ishte vizita e parë zyrtare e tij.

“Në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Shëndetësisë i Republikës i Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, ka vizituar institucione të rëndësishme shëndetësore, me qëllim të gjetjes së rrugës së bashkëpunimit për transformimin e sistemit shëndetësor të vendit”, thotë postimi i datës 15 maj nga ministria. 

Faqja e MSH-së është e mbushur me njoftime të përditshme të raportit të të infektuarve me Covid-19. Sikur të mos ishte marrë e drejta për postimin e këtyre njoftimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, MSH-ja do të mbeste më ndonjë lajmërim të zëvendësministrave aty-këtu. 

Latifi u emërua ministër në mes të nëntorit të vitit 2021. Brenda muajit të parë të marrjes së detyrës, ministri kishte udhëtuar dy herë në SHBA. Herën e dytë, në fundvit, stafi i tij e kishte konfirmuar se Latifi ka udhëtuar “për arsye personale”.

Atë kohë, Kryeministri Albin Kurti ishte pyetur për lëvizjet e shpeshta të ministrit Prishtinë – Neë York. Thoshte se vartësi i tij do të punonte për ministrinë “online”.

“Nuk ka person që nuk është online dhe i koordinon punët. Pas një karriere në SHBA, një çik si shpejt është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në pandemi. Nuk mund të them se është për qëllime personale sa për institucionin që ka punuar atje. Ka numër të pafundmë të studentëve që kanë doktoruar e magjistratura te ai. Ai mua më ka siguruar që duke i ndarë punët dhe duke qenë ‘online’ nuk do ta cenojë bashkërendimin në MSh”, kishte deklaruar Kurti. 

(Kosova Sot Online)