Avokati i Veselit e shpalli të vdekur, më pas u demantua- Kush është Nazim Bllaca?

  • E.K /
  • 21 May 2022 - 16:33
Avokati i Veselit e shpalli të vdekur, më pas u demantua- Kush është Nazim Bllaca?

Emri i Nazim Bllacës është rikthyer dje në vëmendje të publikut kosovar, pasi avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, fillimisht tha se kishte vdekur, e më pas doli dhe e demantoi veten duke treguar se kishte qenë një lapsus i tij.

Emmersonin e kanë demantuar edhe nga familja e Nazim Bllacës. I vëllai Limani, i kontaktuar nga mediat kishte thënë se Nazimi është mirë dhe se kishte kontaktuar me të përmes EULEX-it.

Por Kush është Nazim Bllaca?

Nazim Bllaca ishte vetëdeklaruar si pjesë e Shërbimit të Informativ të Kosovë (SHIK) dhe në vitin 2009 kishte bërë bujë të madhe pasi që kishte dalë publikisht dhe kishte folur për vrasje që thoshte t’i ketë kryer në emër të SHIK-ut.

Pas një deklarate të tillë, Bllaca ishe marrë nën mbrojtje të EULEX-it, mision ky që më pas kishte nisur disa procese gjyqësore për zbardhjen e rasteve të pretenduara nga Nazim Bllaca.

Bllaca kishte akuzuar disa figura të larta të PDK-së, të përfshirë në SHIK, duke pretenduar se ata e kishin urdhëruar që t’i kryej krimet. Pretendimet e Bllacës rezultuan në dy persona të arrestuar dhe të sjellë para drejtësisë dhe një zyrtar të lartë të PDK-së të intervistuar nga hetues të EULEX-it.

Vetë Bllaca kishte qëndruar nën arrest shtëpiak që nga dalja e tij publike dhe ishte deklaruar dëshmitar bashkëpunues.

Në rastin e njohur si “Bllaca” kishte dëshmuar edhe ish – kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, proces ky i udhëhequr nga gjyqtari i EULEX-it, Mauricio Salustro.

Veseli atë kohë kishte deklaruar në gjykatë se Nazim Bllaca nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtarë dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, kishte thënë Veseli nën betim asokohe.

Më pas EULEX-i kishte nisur  procese gjyqësore serike me Nazim Bllacën si dëshmitar kryesor, përmes të cilit edhe dënoi shumë persona.

Një panel i përzier i dy gjykatësve të EULEX-it dhe një gjykatësi lokal në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për rastin “Bllaca dy” në dhjetorin e 2012-ës i kishte dënuar dy persona për vrasje të rëndë, dy të tjerë për tentim-vrasje të rëndë dhe personin e pestë për të dyja akuzat, në atë që njihet si rasti Bllaca.

Misioni i EULEX-it, përmes një komunikate për media kishte njoftuar, se Sadik Abazi dhe Bekim Syla janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe janë dënuar me nga 12 vjet burgim.

Driton Hajdari dhe Shaban Syla janë gjetur fajtorë për tentim-vrasje të rëndë dhe janë dënuar me 7 dhe 8 vjet heqje lirie.

Shpresim Uka, ndërkaq, është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë dhe është dënuar me 15 vjet burgim.

Më 19 korrik 2013 përfundoi edhe gjykimi i njohur si Bllaca III ku i pandehur ishte vetë Nazim Bllaca.

Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e Ibush Kllokoqit në natën e 6 gushtit 1999 dhe ishte dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi i shqiptuar ishte minimal, dhe kjo kishte ndodhur sipas kërkesës së prokurorit special të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Maurizio Salustro.

Nazim Bllaca, njëri nga njerëzit më të përfolur në Kosovë si dëshmitar i disa proceseve gjyqësore në Kosovën e pasluftës, në marsin e 2016-ës është dënuar me gjashtë muaj burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.Bllaca ishte është dënuar me gjashtë muaj burg nga Gjykata në Ferizaj për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.Nazim Bllaca pas deklarimeve se kishte qenë agjent i SHIK-ut, ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa proceseve gjyqësore në Kosovë.

(Kosova Sot Online)