Ukraina përjashton armëpushimin, Zelensky: Vetëm diplomacia mund t’i jap fund luftës

  • A.P /
  • 22 May 2022 - 09:26
Ukraina përjashton armëpushimin, Zelensky: Vetëm diplomacia mund t’i jap fund luftës

Ukraina ka përjashtuar mundësinë e marrëveshjes për një armëpushim me Rusinë, duke thënë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Moskën që përfshin heqje të territorit nga Kievi.

Në fjalimin e tij të natës drejtuar popullit të tij, Presidenti Volodymyr Zelensky u zotua se megjithëse luftimet do të ishin të përgjakshme, fundi i luftës në Ukrainë do të vinte vetëm përmes diplomacisë dhe se pushtimi rus i territorit të saj do të ishte i përkohshëm, raporton BBC.

Në fjalimin e tij televiziv, Zelensky tha se konflikti “do të jetë i përgjakshëm, do të ketë luftime, por ai do të përfundojë përfundimisht vetëm përmes diplomacisë”.

Ndërkohë këshilltari i tij Mykhailo Podolyak përjashtoi kategorikisht mundësinë e një armëpushimi, pasi ai tha se kjo gjë do ta kthente mbrapsht Ukrainën, pasi Rusia mund të kundërpërgjigjet më fort pas çdo ndërprerjeje të luftimeve.

Ai tha gjithashtu se Kievi nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Moskën që përfshin cenimin e territoreve ukrainase.

Të shtunën, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një projekt-ligj për të siguruar një paketë për Ukrainën me vlerë rreth 40 miliardë dollarë (32 miliardë £), tha Shtëpia e Bardhë.

Paratë përfaqësojnë programin më të madh të ndihmës amerikane që kur Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt.

Projektligji, i cili do të përcjellë mbështetjen për Ukrainë për rreth pesë muajt e ardhshëm, përfshin rreth 6 miliardë dollarë të buxhetuara për automjetet e blinduara dhe mbrojtjen ajrore.

Presidenti Zelensky shprehu mirënjohje në Twitter, duke thënë se ndihma ushtarake ishte “e nevojshme më shumë se kurrë”.


(Kosova Sot Online)