Kurti e takon Abazoviqin për herë të parë pasi u bë kryeministër, nuk e çelin temën e demarkacionit

  • A.P /
  • 24 May 2022 - 20:25
Kurti e takon Abazoviqin për herë të parë pasi u bë kryeministër, nuk e çelin temën e demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar për herë të parë me Dritan Abazoviq, pas zgjedhjes kryeministër i Malit të Zi. Takimi mes dy kryeministrave është zhvilluar në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Fillimisht, sipas njoftimit, kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët. Megjithatë, mes dy kryeminsitrave, nuk është hapur tema e demarkacionit, një çështje që ende diskutohet në Kosovë, por edhe e në Mal të Zi.

Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha. Përderisa theksoi vullnetin për fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira me Kosovën, kryeministri Abazoviq tha se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit njofton se u diskutua edhe për çështje të tjera, që lidhen  me lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, bashkëpunimin në fushën e ekonomisë.

(Kosova Sot Online)