Deputetët e komisionit hetimor për energjinë miratojnë buxhetin – sa do të paguhen

  • E.K /
  • 25 May 2022 - 15:09
Deputetët e komisionit hetimor për energjinë miratojnë buxhetin – sa do të paguhen

Njëmbëdhjetë deputetët, anëtarë të Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e energjisë elektrike për periudhën 2006-2022 e miratuan në mbledhjen e sotme buxhetin paraprak, të ndarë për këtë komision.

Sipas buxhetit të miratuar, ata përveç pagës së deputetit, do të paguhen shtesë me 1,760 euro në muaj.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se nuk kanë paraparë që të kompensohen ekstra për pjesëmarrjen në këtë komision.

“Kompensimet e anëtarëve të komisioneve. A është e zakonshme të kompensohen ekstra për pjesëmarrje sepse ne nuk e kemi paraparë e as s’e kemi menduar në këtë mënyrë”, tha ai.

Muja propozoi që mjetet e tyre të barten te ekspertët, të cilët tha se kanë shumë punë.

Sipas përshkrimit të buxhetit, tre ekspertë është paraparë të angazhohen në këtë komision. Ata do të paguhen 1,000 euro në muaj.

Deputeti tjetër i LVV-së, Arbër Rexhaj tha se mund t’ia dërgojnë Kryesisë së Kuvendit një kërkesë në lidhje me këtë çështje.

Kryesusesi i këtij komisioni, Hajdar Beqa, tha se kjo çështje është e rregulluar me ligj.

“Çështjet janë të rregulluara me ligj. Ne do ta shiqojmë edhe njëherë. Unë në bazë të informatave që i kam që ka të drejtë deri në 800 euro në muaj të kompensohet një ekspert. Realisht ekspertët janë shumë të rëndësishëm. Kurse çështja e kompensimit, e mbledhjeve e këto janë të rregulluara dhe çdo veprim e merr Kryesia e Kuvendit, edhe përmes seancave nëse duhet. Ne nuk mund të bëjmë ndryshim të rregullores, përveç propozim për buxhet shtesë”, tha ai.

Edhe deputetja Duda Balje tha se zakonisht për ekspertët buxheti nuk ndryshon.

Në fund të gjithë votuan pro miratimit të këtij buxheti, me mundësinë që të rishikohet pastaj.

Deputetët e këtij komisioni diskutuan edhe për mundësinë e zgjatjes së mandatit të këtij komisioni. Beqa tha se :mandati aktual me të cilin jemi krijuar është 3 muaj”.

(Kosova Sot Online)