Meta pret në takim Osmanin: Duhet të rritet koordinimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në një takim nga presidentin i Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të punimeve të “Forumit të Lirisë Ballkanike”.
Meta, i cili njoftoi për takimin, tha se temë diskutimi ishte rritja e kapaciteteve dhe koordinimi mes dy shteteve për të luftuar trafikimin me qenie njerëzore.
“Zhvillova sot një takim të ngrohtë me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila na nderoi me pjesëmarrjen e saj. Ndamë të njëjtin vlerësim se institucionet e të dyja vendeve, veçanërisht ato ligjzbatuese, duhet të rritin kapacitetet dhe të koordinohen më mirë në luftën e përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore, si dhe çdo lloj trafiku tjetër, që kërcënon sigurinë kombëtare”, ka shkruar Meta.
Ai shtoi se është tepër i domosdoshëm edhe shkëmbimi i eksperiencave për mbrojtjen ligjore efektive, për të gjitha viktimat e trafikimit, duke u ofruar atyre më shumë akses dhe ndihmë të pakushtëzuar.
(Kosova Sot Online)
