Vazhdohet qëndrimi i trupave gjermane në Kosovë, bëhet misioni më i gjatë në histori të Bundeswehr-it

  • E.K /
  • 26 May 2022 - 11:35
Vazhdohet qëndrimi i trupave gjermane në Kosovë, bëhet misioni më i gjatë në histori të Bundeswehr-it

Qeveria gjermane ka zgjatur në mënyrë rutinore pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në trupat e KFOR-it në Kosovë edhe për një vit. Ky është misioni më i gjatë i Bundeswehr-it (forcat e armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë)  në histori. Për këtë vendim njoftoi të mërkurën kabineti i kancelarit Olaf Scholz.

Gjermanët ende do të mund të stacionojnë maksimumi 400 ushtarë në Kosovë.

Sipas mediave gjermane, për shkak të “situatës relativisht paqësore” në Kosovë, aktualisht janë vetëm shtatëdhjetë ushtarë nga Gjermania.

Por, duke pasë parasysh agresionin e Rusisë në Ukrainë, stabilizimi i qëndrueshëm i Ballkanit Perëndimor është me “interes të madh gjeostrategjik”, shtoi zëdhënësi i qeverisë Stephen Hebestreit. Siç tha ai, sidomos në veri të Kosovës ka “potencial për konflikt dhe përshkallëzim”.

Ministria e Mbrojtjes dhe ajo të Jashtme e shpjegojnë shtrirjen e misionit me stabilitetin “të brishtë” në rajon.

Zgjatja e mandatit për një vit duhet të miratohet nga parlamenti gjerman në javët në vijim, por s’ka dyshime që mos të votohet.

Deri më tani, deputetët e socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve në pushtet, si dhe të kristiandemokratëve, kanë votuar gjithmonë për vazhdimin e mandatit të tyre, shkruan DW.

Misioni i Bundeswehr-it në Kosovë shënoi rekord si misioni më i gjatë ushtarak në historinë moderne gjermane, i cili filloi në qershor 1999 pas bombardimeve të RF të Jugosllavisë.

NATO thekson se 3800 ushtarë nga 28 vende janë aktualisht në terren në KFOR.

(Kosova Sot Online)