Sekretarja e Jashtme britanike në Sarajevë zotohet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor

  • E.K /
  • 26 May 2022 - 15:18
Sekretarja e Jashtme britanike në Sarajevë zotohet për sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, e cila ditë më parë kishte kërkuar që të armatosen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sot ka qëndruar në Bosnje e Hercegovinë ku përveç sigurisë në rajon foli edhe për luftën e Ukrainës.

Truss shfrytëzoi fjalimin drejtuar Forcave të Armatosura të Bosnjë dhe Hercegovinës për të folur kundër manovrimeve ruse në vendin ballkanik dhe u kërkoi partnerëve të vazhdojnë të rreshtohen pas Ukrainës.

“Ndërsa Rusia ndërhyn këtu, trupat e Putinit po kryejnë mizori vetëm 700 milje (1127 km) larg, në Ukrainë. Populli i Ukrainës ka nevojë për mbështetjen tonë”, tha Truss.

Për vizitën e saj në Bosnje, Truss në Twitter shkroi se duhet marrë mësim nga historia, derisa u zotua për sigurinë e rajonit.

“Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit malinj rus”.

“Demokracia dhe liria duhet të mbizotërojnë mbi agresionin autokratik. Putini duhet të humbasë në Ukrainë. Agresioni i Putinit nuk duhet të ketë kurrë sukses në Europë”.

Bashkë me kryetaren e Sarajevës, Benjamina Kariq, Truss bëri homazhe edhe te varrezat e qindrave fëmijëve të vrarë nga forcat serbe gjatë rrethimit të Sarajevës.

“Horroret e konflikteve këtu s’duhet të përsëriten kurrë”.

(Kosova Sot Online)