Faturat e rrymës për muajin maj, me çmime të ngritura

  • A.P /
  • 27 May 2022 - 15:37
Faturat e rrymës për muajin maj, me çmime të ngritura

Pavarësisht deklarimit nga ZRRE-ja se do të respektohen vendimet e gjykatave përkatëse, faturat e energjisë elektrike të muajit maj, janë duke iu dorëzuar konsumatorëve me çmimet e ngritura.

Pavarësisht se dy gjykatat vendore, së pari Gjykata Themelore, e më pas edhe ajo e Apelit të Kosovës, vendosën masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të rrymës, dhe pavarësisht deklarimeve edhe publike nga ZRRE-ja se do të respektohen vendimet e gjykatave, faturat e muajit maj janë duke iu dorëzuar konsumatorëve me çmimet e ngritura.

Siç dihet, ZRRE-ja ka marrë vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike më 9 shkurt të 2022-tës.

Pas këtij vendimi të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), kanë pasuar reagimet e shumta, duke e kontestuar ngritjen e çmimit të rrymës dhe duke e vlerësuar atë si tepër të lartë.

Pastaj, pa vonuar, PDK-ja ka paditur ZRRE-në në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila më 8 prill 2022, mori vendimin për pezullim të përkohshëm të vendimit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga instancat gjyqësore për shtrenjtimin e çmimit të rrymës.

Në muajin maj, më saktësisht më 18 maj, edhe Gjykata e Apelit, vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për shtyrjen e ekzekutimit të ZRRE-së, përkatësisht për pezullimin e tarifave të reja me çmime të ngritura të rrymës, duke thënë se vendimi i Themelores ishte vendim i drejtë.

Pas vendimit të Apelit, ZRRE-ja fillimisht u deklarua se do të zbatojë vendimin e gjykatës.

Mirëpo, në ndërkohë pasoi një heshtje institucionale rreth zhvillimeve në çështjen rreth çmimeve të rrymës, që u bë e diskutueshme pas vendimeve të dy instancave gjyqësore.

Dhe, që nga pardje, dje dhe sot, përkundër deklarimit të ZRRE-së se do të respektojë vendimin e gjykatave, prishtinasve janë duke iu ardhur faturat e majit me çmime të ngritura.

Thënë shkurt, “ranë në ujë” premtimet e ZRRE-së se do të zbatohen vendimet e instancave gjyqësore. “Ranë në ujë” dhe u shpërfillën totalisht edhe premtimet e opozitarëve të Kosovës, veçmas të PDK-së, partia që nisi procesin gjyqësor ndaj ZRRE-së, e cila pa vonuar, që në ditën e publikimit të vendimit të Apelit, në një konferencë shtypi deklaroi se tash e tutje “qytetarët do ta paguajnë rrymën me tarifat e vjetra, para se ato të rriteshin pas krizës energjetike”.

Faturat e majit, kanë zbehur dhe zhvlerësuar shumë edhe “fitoren” e shpallur me pompozitet dhe goxha me ekzaltim të partive opozitare me rastin e vendimit të Apelit.

“Kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit, kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik. Kjo e shton përgjegjësinë tonë politike dhe Partia Demokratike e Kosovës, si në këtë rast, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”, pati deklaruar me këtë rast lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.

Faturat e fundit, këto të majit, pra, janë me çmime të ngritura. Dhe, kosovarët që iu besuan premtimeve, edhe atyre institucionale, se do të rikthehen çmimet e vjetra të rrymës, dhe nuk “ndalën dorën” në konsumin e energjisë elektrike, do të përballen me “sihariqin” e kostos goxha  të kushtueshme për buxhetin familjar të tyre.

(Kosova Sot Online)