Kosova dhe Shqipëria riatdhesojnë disa shtetas nga Siria

  • E.K /
  • 28 May 2022 - 11:04
Kosova dhe Shqipëria riatdhesojnë disa shtetas nga Siria

Përmes një aksioni të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria kanë riatdhesuar disa qytetarë nga kampet në Siri.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë një adresimi nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari”, bëri të ditur se ky nuk do të jetë aksioni i fundit i përbashkët me autoritetet shqiptare.

“Ekipet tona të profileve të ndryshme kanë shumë punë, që këta individë të rehabilitohen e ata që janë të radikalizuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë, e posaçërisht fëmijët të cilët me asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen”, tha Sveçla.

Sveçla nuk tregoi se sa qytetarë të Kosovës janë riatdhesuar nga Kosova.

Ky aksion u realizua me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria tha se ka riatdhesuar 13 shtetas, katër gra dhe nëntë fëmijë, duke bërë që numri i përgjithshëm i të riatdhesuarve të arrijë në 43.

Në prill të vitit 2019, Kosova kishte kthyer 110 shtetas nga Siria, në mesin e të cilëve katër luftëtarë të Shtetit Islamik, 32 gra dhe 74 fëmijë, ndërkaq në korrik të vitit 2021, autoritetet riatdhesuan edhe 11 shtetas nga Siria.

Nga viti 2011, më shumë se 350 shtetas të Kosovës udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut. Shumica prej tyre është thënë se u rreshtuan përkrah grupit militant Shteti Islamik. Ndërkaq, 70 shtetas nga Shqipëria besohet se i janë bashkuar IS-it, edhe pse konfirmim zyrtar të numrit të tyre nuk ka.

(Kosova Sot Online)