Oligarkëve kosovarë po i ‘tundet’ pasuria

  • G.G /
  • 30 May 2022 - 12:14
Oligarkëve kosovarë po i ‘tundet’ pasuria

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, sot ka qenë pjesë e tryezës në të cilën temë diskutimi ishte “Vendosja e një fondi funksional të Konfiskimit në Kosovë” e organizuar nga Projekti i Përbashkët i Bashkimit Europian, Këshilli i Evropës kundër Krimit Ekonomik (PECK III).

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi rekomandimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për krijimin dhe funksionimin e Fondit të Konfiskimit të cilat u prezantuan nga eksperti i Këshillit të Evropës si dhe u diskutua mbi opsionet e mundshme të ngritjes së Fondit të Konfiskimit.

Zëvendësministri Sallahu në fjalën e tij ka theksuar rolin që ka Fondi i Konfiskimit për shtetin, shoqërinë e institucionet e vendit, duke vlerësuar si të nevojshëm themelimin e tij në harmoni të plotë me aktet e tjera vendore e ndërkombëtare.

“Ne padyshim duam që Fondi i Konfiskimit të jetë në përputhje me aktet ligjore si dhe me praktikat më të mira ndërkombëtare, mirëpo, konsiderojmë po ashtu se Fondi nuk duhet të jetë peng e të mos bëhet si pasojë e mungesës së modeleve që parashohin themelimin e një Fondi të tillë në përputhje me ligjet në fuqi” tha Sallahu.

Zëvendësministri Sallahu falënderoi partnerët e Ministrisë së Drejtësisë për angazhimin dhe mbështetjen që kanë ofruar përmes projekteve dhe ekspertizës së tyre. Ai shtoi se janë të përkushtuar në thellim të këtij bashkëpunimi me qëllim të funksionalizimit në tërësi të sistemit të drejtësisë, rritjes së efikasitetit dhe transparencës.

(Kosova Sot Online)