Në këto komuna pati më tepër lindje, kurorëzime e divorce gjatë muajit mars

  • E.K /
  • 31 May 2022 - 09:51
Në këto komuna pati më tepër lindje, kurorëzime e divorce gjatë muajit mars

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet për muajin mars 2022. Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.

Kështu, në muajin mars janë regjistruar 2, 132 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1, 096 lindje janë meshkuj dhe 1, 036 lindje janë femra.

Të lindur sipas vendit, bazuar në vendbanimin e përhershëm të nënës në komunë, rezulton se në muajin mars, në komunat që pati më pak lindje janë Parteshi, Ranillugu, Zveçani me nga dy.

Ndërkohë, në komunat ku pati më shumë lindje në muajin mars janë Prishtina, Ferizaji, Podujeva Gjilani e Prizreni, secila me më shumë se 100 lindje.

Ndërsa janë regjistruar gjithsej 867 vdekje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej vdekjeve të regjistruara 492 janë meshkuj dhe 375 janë femra.

Krahasuar me muajin shkurt 2022, ka rënie të numrit të personave të vdekur për -20,4%.

Sa i përket vdekjeve sipas vendit të banimit të përhershëm në komunë, rezulton se Juniku e Mamusha kanë pasur më së paku, me nga një, kurse më shumë ishin në Prizren e Prishtinë nga 94, përkatësisht 75.

Në muajin mars 2022 janë regjistruar gjithsej 1, 442 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës.

Krahasuar me muajin shkurt ka rënie të numrit të çifteve të kurorëzuara për -26,7%.

Asnjë kurorëzim nuk është regjistruar në muajin mars në komunat Partesh, Ranillug, e Kllokot kurse nga një në Zveçan e Zubin Potok.

E më së shumti kurorëzime pati në Prishtinë, Prizren e Ferizaj.

Shkurorëzime në muajin mars 2022 janë regjistruar 103 raste.

Ndërsa sa i përket shkurorëzimeve të ndodhura në Kosovë për muajin mars, krahasuar me muajin shkurt, ka rënie për 15.6%

(Kosova Sot Online)