Von Cramon i kërkon Kosovës strategji për energji

  • E.K /
  • 31 May 2022 - 12:57
Von Cramon i kërkon Kosovës strategji për energji

Thëngjilli përveç që vret qytetarët, vret edhe ekonomitë e një vendi, prandaj mbrojtja mjedisore duhet të vendoset në prioritet për Kosovën, ka thënë të martën në Prishtinë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo deklaroi se ka ardhur koha për një strategji të energjisë që do t’ia hap derën energjisë së ripërtëritshme.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, theksoi se deri në fund të vitit 2022 do të finalizohet strategjia për energji, e cila siç tha ai, parasheh dekarbonizimin e energjisë dhe krijimin e mundësisë për energji të ripërtëritshme.

Në konferencën “Java për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë”, që po mbahet në Prishtinë, Bislimi tha se Qeveria ka miratuar projektligjet që i përkasin mbrojtjes së mjedisit.

Deputetja Eliza Hoxha tha se si deputete nuk ka njohuri për planin dhe strategjinë e energjisë.

Në konferencë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha po ashtu se Kosova ka burime të pakta të ujit, për çka ka kërkuar nga autoritetet kosovare menaxhim më të mirë të këtyre burimeve.

(Kosova Sot Online)