Kurti kërcënon me shkyçje nga rrjeti energjetik pjesën veriore

  • G.G /
  • 01 June 2022 - 13:53
Kurti kërcënon me shkyçje nga rrjeti energjetik pjesën veriore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur si veprim humanitar mos-faturimin e pjesës veriore të shtetit në konsumin e energjisë elektrike, duke thënë se “çdo cent i dhënë për veriun do të regjistrohet si borxh”.

Kurti këto deklarime i ka bërë në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, duke kërcënuar edhe me shkëputje të rrjetit energjetik.

“Sa i përket çështjes së energjisë, ne e kemi trashëguar në gjendje të rëndë; nuk ka pasur faturim të energjisë në veri të lumit Ibër. Çdo cent i dhënë për veri do të regjistrohet si borxh. Ne nuk jemi duke falur para, por jemi duke shpëtuar situatën. Ne nuk dëshirojmë komplet një rajon të tërë ta shkëpusim nga rrjeti energjetik dhe nuk dëshirojmë të shkaktojmë pretekste që rrjeti energjetik i fqinjit tonë që s’na njeh ta zgjerojë rrjetin energjetik në Kosovë. Ky subvencionim në thelb është borxh, por edhe ky borxh si subvencionim nuk do të mund të vazhdojë pafundësisht”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

“Tash ka rënë konsumi i energjisë elektrike, ju e dini shumë mirë se termocentralet tana A dhe B, me pesë njësi gjithsej, mund ta mbulojnë konsumin aktual. Edhe njëherë po ritheksoj, jemi duke paguar shumë shtrenjtë e padrejtësisht në tërë territorin e Republikës dhe gjithashtu duke shprehur humanitetin tonë të mos ketë kyçje rajonale apo shkyçje të gjithëmbarshme në zonën e caktuar”, ka thënë më tej kreu i ekzekutivit kosovar.

Kujtojmë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin e fundit që ka pasur në Bruksel për çështjen e targave, pati deklaruar se janë afër një marrëveshjeje për energjinë me Serbinë. 

(Kosova Sot Online)