“Shoferët, kamarierët e politikanët në Kosovë më pyetën kur hiqen vizat”

  • E.K /
  • 02 June 2022 - 08:13
“Shoferët, kamarierët e politikanët në Kosovë më pyetën kur hiqen vizat”

Kati Schneeberger, austriakja që drejton organizatën “Vjena bëhet Evropë” ka nisur një peticion online ku i bëhet thirrje BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën. Schneeberger ka folur lidhur me arsyen që ajo e filloi peticionin, të cilin e kanë nënshkruar mbi 13 mijë njerëz.

Schneenberger tha se peticionin do t’ia përcjellë udhëheqësve të tri institucioneve kryesore të BE-së, Komisionin, Këshillit dhe Parlamentit si dhe ambasadorit francez në Vjenë.

Në një intervistë me shkrim dhënë Express, austriakja është pyetur se cila është arsyeja që nisi peticionin me kërkesën për liberalizimin e vizave për Kosovën?

Ajo u përgjigj: Unë isha duke vizituar Kosovën javën e kaluar për herë të parë për të takuar pro evropianë dhe për të gjetur partnerë për OJQ-në time. Të enjten vizitova panairin EXPOKOS dhe takova shumë miq nga Shoqëria Austriake Kosovare gjatë vizitës sime në Prishtinë dhe Mitrovicë të premten dhe me të vërtetë të gjithë, nga biznesmenët te shoferët e taksive, kamerierët në restorant e deri te politikanët më pyetën për liberalizimin e vizave dhe lirinë për të udhëtuar. Unë kam lindur në Gjermaninë Lindore apo siç njihej Republika Demokratike Gjermane. E di se si është të jetosh pa lirinë për të udhëtuar. Ndryshe nga shumë politikanë në Evropën Perëndimore, unë e kuptoj dhimbjen e popullit të Kosovës. Kështu që vendosa të filloj këtë fushatë për liberalizimin e vizave gjatë vizitës sime në Kosovë.

(Kosova Sot Online)