Caktohet një ekspert financiar lidhur me dëmet e viktimave të pretenduara në rastin e Salih Mustafës

  • E.K /
  • 02 June 2022 - 11:24
Caktohet një ekspert financiar lidhur me dëmet e viktimave të pretenduara në rastin e Salih Mustafës

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se në gjykimin  ndaj Salih Mustafës është caktuar një ekspert financiar lidhur me dëmet e viktimave.

“Më 1 qershor 2022, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e avokatit të viktimave dhe caktoi z. Stefan Lerz nga Nederlands Rekencentrum Letselschade me mandat për të llogaritur dëmet materiale dhe humbjet ekonomike të viktimave të drejtpërdrejta të pretenduara në çështjen Mustafa. Z. Lerz do të dorëzojë raportin e tij deri më 23 qershor 2022”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, aktakuza ndaj Salih Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020, ku ngarkohet për krime lufte.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

(Kosova Sot Online)