Konjufca: Besoj që apeli do ta rrëzojë dënimin për Haradinajn dhe Gucatin

  • A.P /
  • 02 June 2022 - 20:45
Konjufca: Besoj që apeli do ta rrëzojë dënimin për Haradinajn dhe Gucatin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar dënimin e ish-krerëve të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, nga Gjykata Speciale.

Konjufca i ka quajtur shumë të larta këto dënime, ndërsa ka shtuar se beson që apeli do ta rrëzojë këtë dënim.

“Besoj që apeli do ta rrëzojë këtë dënim shumë të lartë për zotëri Haradinajn dhe zotëri Gucati”, tha ai 

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Gucati dhe Haradinaj u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, tha se Gucati dhe Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, “pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë… Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithçka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)