AP: Zelensky i palodhshëm, 100 fjalime në 100 ditë luftë

  • E.K /
  • 04 June 2022 - 12:39
AP: Zelensky i palodhshëm, 100 fjalime në 100 ditë luftë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se kur Rusia pushtoi Ukrainën 100 ditë më parë, askush nuk e priste që vendi i tij të rezisonte kaq gjatë. Madje, thotë se udhëheqësit botërorë e këshilluan të ikte.

“Por, ata nuk na njihnin”, tha ai në një fjalim nëpërmjet një videomesazhi një natë të vonë prilli, kur lufta mbushi ditën e saj të 50-të.

“Dhe ata nuk e dinin se sa të guximshëm janë ukrainasit, sa e vlerësojmë ne lirinë”.

Askush nuk e dinte se si 44 vjeçari, që nga komediani ishte bërë president, do t’i përgjigjej një pushtimi nga ushtria gjigante ruse, shkruan AP.

Përgjigja e tij ka qenë e fuqishme dhe publikisht bindëse. Zelensky e ka udhëhequr vendin e tij në ngritjen e një rezistence të ashpër dhe të papritur.

Çdo natë ai ka mbledhur ukrainasit në luftë nëpërmjet një videomesazhi në rrjetet sociale. Kanë qenë 100 fjalime – një për çdo ditë të luftës – në të cilat ia ka rikujtuar popullit të tij se ai nuk ka ikur dhe se Ukraina me të vërtetë ka mbijetuar.

Me kalimin e ditëve dhe javëve në fytyrën e tij të parruar është shtuar mjekra e errët duke ia humbur pamjen djaloshare.

Që nga fillimi i luftës ai është veshur me nuanca të ndryshme të jeshiles ushtarake, duke u shfaqur më shpesh me një bluzë të thjeshtë. Përshtypja që ai lë është e qartë: ai ka ardhur nga lufta dhe është gati të kthehet në të.

Një komunikues i palodhur dhe i aftë, Zelensky ka folur me videolidhje me Kombet e Bashkuara, Kuvendin e Britanisë së Madhe, Kongresin e ShBA-së dhe dhjetëra parlamente të tjera në mbarë botën, si dhe me Festivalin e Filmit në Kanë dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy në Amerikë.

Rrallëherë një mashkull pa kravatë i është drejtuar kaq shumë VIP-ave. Volodymyr Zelensky ka dhënë edhe intervista për gazetarë.

Por, videoadresimet e tij gjatë natës kanë qenë kanali i tij i preferuar për të informuar dhe frymëzuar ukrainasit.

Ai shpesh e fillon adresimin e tij duke iu drejtuar ukrainasve si “njerëzit e lirë të një vendi të guximshëm” ose “populli i pamposhtur i vendit tonë të madh”. Në ndërkohë, e përfundon gjithmonë njëjtë me shprehjen e tij të famshme – “Lavdi Ukrainës”.

Në këtë komunikim të orëve të vona, Zelensky u tregon bashkëkombasve për liderët botërorë me të cilët ka folur gjatë ditës dhe për përpjekjet e tij për t’i bërë ata liderë të dërgojnë më shumë armë dhe për të vendosur gjithnjë e më shumë sanksione ndëshkuese ndaj Rusisë.

(Kosova Sot Online)