Krasniqi në Kongresin e ALDE në Irlandë: Evropa të hapë dyert për Kosovën

  • E.K /
  • 04 June 2022 - 17:46
Krasniqi në Kongresin e ALDE në Irlandë: Evropa të hapë dyert për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në Kongresin e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Europës (ALDE), që është mbajtur këtë javë në Dublin të Irlandës, ku ka folur për situatën politike në Kosovë.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në mbledhjen e Këshillit të ALDE, që është organi më i lartë vendimmarrës i kësaj organizate ka diskutuar edhe për aspiratat evropiane të Kosovës, si dhe ka prezantuar zhvillimet dhe reformat në Partinë Demokratike të Kosovës.

“Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, duhet të përfshihen në planet për krijimin e një Evrope të bashkuar kundrejt sfidave aktuale që po vijnë kryesisht nga Rusia dhe shtetet e tjera që nuk ndajnë të njëjtat vlera qytetëruese”, ka thënë Krasniqi.

Gjatë qëndrimit në Dublin, kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka takuar liderë të partive të ndryshme anëtare të ALDE, deputetë të Parlamentit Evropian dhe ka marrë pjesë në takimet e LIBSEEN, ku PDK është pranuar si anëtare me të drejta të plota para pak kohësh.

Në këtë Kongres, Krasniqi ka paraqitur edhe vullnetin e PDK-së që të bëhet pjesë e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës, si parti me të drejta të plota. 

(Kosova Sot Online)