Policia për protestën e veteranëve: Nuk hodhëm gaz lotsjellës, protestuesit përdorën

  • E.K /
  • 06 June 2022 - 12:44
Policia për protestën e veteranëve: Nuk hodhëm gaz lotsjellës, protestuesit përdorën

Sot nga ora 10:00, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë filluar protestën duke kundërshtuar mospërfshirjen e tyre në pagën minimale. Kjo protestë eskaloi pasi të njëjtit tentuan të hyjnë brenda sallës së Kuvendit, gjë që çoi në përdorimin e gazit lotsjellës.

Lidhur me këtë protestë, është deklaruar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë thënë se nuk kanë qenë ata që kanë përdorur gaz lotsjellës, por që ishin protestuesit ata që përdorën.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës.”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se nuk janë lajmëruar nga kjo organizatë se do të mbajnë protestë, mirëpo sipas detyrës zyrtare janë kujdesur për mbarëvajtjen e saj.

Në njoftim thuhet se deri tani janë lënduar dy zyrtarë policorë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor.

“Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor”.

Poashtu, gjatë kësaj proteste është lënduar edhe një qytetar. 

(Kosova Sot Online)