Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, ky është vendimi i fundit i gjykatës

  • E.K /
  • 07 June 2022 - 11:22
Vrasja e 18-vjeçares në Ferizaj, ky është vendimi i fundit i gjykatës

Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares M.O. në Ferizaj.

Sipas njoftimit, Gjykata Themelore në Ferizaj më 16 maj 2022, ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Ndryshe, Dardan Krivaqa ishte arrestuar më 25 gusht 2021, pasi dyshohet se më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara kishte ushtruar fillimisht dhunë psikike, pastaj edhe dhunën fizike, e cila kishte vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë.

Kurse, Arbër Sejdiu ishte arrestuar më 24 gusht 2021, pasi që dyshohet se kishte qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe kishte kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës.

Të njëjtit dyshohen se pas rastit, tani të ndjerën e kishin dërguar dhe lënë në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa vet kishin ikur në drejtim të panjohur.

Për këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Pena, vepër me të cilën kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet ose me burgim të përjetshëm. /BetimipërDrejtësi

(Kosova Sot Online)