Latifi paralajmëron ndryshime në bordin e fondeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit

  • E.K /
  • 08 June 2022 - 14:11
Latifi paralajmëron ndryshime në bordin e fondeve për trajtimin e pacientëve jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka folur për abuzimet e mundshme me fondet e destinuara për pacientët që kanë nevojë të shërohen jashtë vendit, duke u zotuar se secili që mund ta ketë bërë këtë do të japë llogari.

Ai tha se është problem i madh që pacientët kosovarë po detyrohen të dalin jashtë shtetit për kurë.

“Ne e kemi krijuar fondit e sigurimit, por s’kemi krijuar kontrata ndërkombëtare me ndonjë vend tjetër, apo me ndonjë spital tjetër. Ndoshta me ndonjë spital privat që e ka ekspertizën e vet për të ndihmuar me shërbime që ne s’mund t’i bëjmë. Ky është problem i madh, por ky s’është më i madhi për mua. Ne po i dërgojmë pacientët tonë për diagnoza rutinore”.

Latifi gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi tha se duhet përgatitur mjekët e Kosovës që të kryejnë intervenimet e nevojshme.

“Me i përgatit dhe me e bërë vetë operacionet. Ne që 12 vjet e kemi një ekspert prej Australisë  qe vjen na ndihmon me sëmundjet më të rënda të fëmijës, a jua merr mendja që ne s’kemi mundur ta përgatisim vetë? Për ta dërguar në Australi për tri vjet? Që tash me pasë njeriun dhe ekipin tonë. Fondi që këto ditë të fundit janë shfaqur në media janë jashtëzakonisht problematike, vetëm edhe nëse një pacient paguan më shumë sesa duhet ose torturohet nëpër vende, ai është një më shumë se që duhet. Nëse ka keqpërdorime me këtë, organet përgjegjëse për këtë. Jemi në fazën e përgatitjes së të gjitha informatave që po i marrim prej të gjithë qytetarëve dhe deputetëve që po i marrim, me këtë çështje do merren organet përkatëse, bordi i fondit do të ketë ndryshime serioze dhe do të ketë ndryshime të duhura nëse dikush e ka thyer ligjin dhe e ka keqpërdor pozitën, atëherë do të ketë pasoja”.

Latifi tha se edhe vetë e ka përjetuar keq kur e ka parë gjendjen e pacientëve që iu duhet të shkojnë jashtë vendit për t’u shëruar.

“Për llogarinë time, unë jam tmerruar, pa e dramatizuar këtë çështje, kur kam shkuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe në oborr të fondit në dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve për t’i dërguar jashtë vendit. Për këtë ne si Ministri, si shtet, si Qeveri, duhet ta shtojmë kualitetin e shërbimeve për t’i dhënë mundësinë çdo pacienti që të kujdeset këtu, por s’kemi mundur ta arrijmë që çdo problem klinik ta zgjidhim këtu”.

(Kosova Sot Online)