Rolexi që iu bë dhuratë, Sveçla thotë se nuk lakmoi që ta mbajë për vete

  • 08 June 2022 - 20:44
Rolexi që iu bë dhuratë, Sveçla thotë se nuk lakmoi që ta mbajë për vete

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar se si iu dhurua ora Rolex nga kryeministri i Katarit. Ai tha se sipas ligjeve të Kosovës, orën do të mund ta mbante për vete pasi “ishte dhuratë e karakterit personal”. Sveçla tregoi se ora luksoze aktualisht ndodhet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ministri Sveçla tha se “nuk lakmoi” për të mbajtur orën e shtrenjtë Rolex që iu dhurua në Katar.

“Nuk besoj se ora e përcakton një individ”, mendon ai.

Ndërkohë, çfarë ore mban ai.

Një orë e zakonshme. Realisht orë që lidhet me telefon me të cilin unë koordinoj aktivitetet oraret e mija e ndonjëherë marrë edhe ndonjë mesazh më të rëndësishëm nëpërmjet orës nëpër takime të ndryshme. Një hile e vogël”, tha ai duke qeshur.

Sveçla tregoi se orën e mori dhuratë pasi edhe ai vetë kishte bërë diçka të tillë për kryeministrin e Katarit, i cili njëkohësisht është edhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Ne dorëzuam dhuratën tonë, e cila është një dhuratë simbolike, është harta e Kosovës e punuar në filigran. Pas përfundimit të takimit, pas përcjelljes në hotel, protokolli i kryeministrit më dorëzoi një qese letre, e më tha: “këtë e keni dhuratë nga kryeministri i Katarit”. Pas një kohe unë hapa dhuratën, po flas, pas rahatimit, dhe e pashë që është një dhuratë e shtrenjtë dhe i kam shkruar eprorit tim, kryeministrit Albin Kurti dhe e kam njoftuar për këtë dhuratë, me idenë që potencialisht edhe ta kthej. Pas shqyrtimit të këtij skenari doli që ka rrezik që raportet në mes të Kosovës dhe Katarit të lëndoheshin dhe unë e kam njoftuar kryeministrin se dhuratën do ta marrë por s’do ta marrë për vete personalisht por është dhuratë e kryeministrit të Katarit për shtetin e Kosovës”, shpjegoi i pari i MPB’së

(Kosova Sot Online)