Haradinaj reagon për marrëveshjen e rrymës: Të gjithë qytetarët, brenda një sistemi energjetik

  • A.P /
  • 13 June 2022 - 20:36
Haradinaj reagon për marrëveshjen e rrymës: Të gjithë qytetarët, brenda një sistemi energjetik

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me marrëveshjen që po pritet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë për rrymën në veri të Kosovës, të paralajmëruar nga udhëheqësi i palës kosovare në dialog, Besnik Bislimi.

Haradinaj thotë se gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë brenda një sistemi energjetik. Ai shton se ia ka siguruar Kosovës pavarësinë energjetike vite më parë, pasi në kohën kur ishte kryeministër kishte arritur të lidhë me marrëveshje për lidhje të sistemit energjetik me Shqipërinë dhe ndarjen nga Serbia.

Të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut. Kosovës ia siguruam pavarësinë energjetike që vite më parë dhe kjo falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe aspak të lehta. Prandaj, qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai shton se çështjet teknike administrative nuk duhet të kthehen në probleme politike

(Kosova Sot Online)