Von Cramon: Kosova ka bërë progres në reforma, BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave

  • E.K /
  • 14 June 2022 - 12:18
Von Cramon: Kosova ka bërë progres në reforma, BE-ja nuk e ka mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon dorëzoi raportin për Kosovën në Komitetin e PE-së dhe theksoi se ai mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për të paraqitur përkushtimin e Parlamentit Evropian për integrimin e Kosovës në BE, por edhe për të ofruar udhëzime se si mund të zbatohen standardet e BE-së.

“Raporti është në gjendje të mbulojë vetëm sipërfaqen e aspekteve komplekse sociale dhe politike të Kosovës dhe marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, theksoi von Cramon.

Ajo shtoi se Kosova ka bërë progres në reforma, por BE-ja nuk e ka përmbushur premtimin që i ka dhënë Kosovës për liberalizimin e vizave.

“Kosova vazhdimisht ka demonstruar përkushtimin e saj për avancimin e reformave në lidhje me BE-në dhe është pozicionuar si një partner shumë i besueshëm, i rrënjosur thellë në Aleancën Evropiane dhe Transatlantike. Shpresoj vërtet që ky të jetë raporti i fundit që përmend këtë dështim”, theksoi Von Cramon.

Von Cramon i bëri thirrje Francës dhe Holandës që të ndryshojnë mendje dhe të miratojnë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Sa i përket Këshillit, dhe në këtë kontekst dua t’i drejtohem drejtpërdrejt Francës dhe Holandës, është koha për të miratuar një vendim për liberalizimin e vizave”, tha Von Cramon.

(Kosova Sot Online)