Osmani në Ohër për Forumin e Prespës, pjesëmarrës do të jetë edhe Kurti

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 10:48
Osmani në Ohër për Forumin e Prespës, pjesëmarrës do të jetë edhe Kurti

Me ftesë të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog.

Pjesë e forumit, i cili i zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër, do do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Presidentja Osmani do t’i drejtohet panelit përgjatë sesionit kryesor të hapjes zyrtare, me krerë të tjerë shtetesh, me temën: “Çfarë pas luftës në Ukrainë?, ku do të diskutohet mbi realitetin e ri gjeopolitik të krijuar nga lufta në Ukrainë, forcimin e unitetit transatlantik si dhe përgjigjen e përbashkët kundër agresionit rus.

Forumi i Prespës për Dialog do të jetë nikoqir i krerëve të shteteve të rajonit, përfaqësuesve nga BE, SHBA, e personaliteteve të shquara nga fusha e politikës, sigurisë, ekonomisë, nga komuniteti akademik dhe ai i biznesit. Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me homologun e saj Stevo Pendarovski, si dhe me zyrtarë të lartë të shteteve të tjera pjesëmarrëse.

Krahas sesionit të hapjes zyrtare dhe takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të jetë ndër folëse kryesore edhe në panelin e diskutimit “Samiti i Demokracisë: Rëndësia e grave në qeverisje”, ku do të diskutojë nevojën për avancimin e agjendës së grave, sigurisë dhe paqes.

Tema e forumit do të jetë “Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë”.

(Kosova Sot Online)