Njoftimi i Presidencës ukrainase pas vizitës së Ramës dhe Abazoviqit, nuk përmendet Kosova

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 12:16
Njoftimi i Presidencës ukrainase pas vizitës së Ramës dhe Abazoviqit, nuk përmendet Kosova

Dy kryeministrat ballkanas, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq kanë qëndruar dje në Kyiv. Vizitën e kanë përmbyllur me një konferencë të përbashkët me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Rama në këtë adresim i ka kërkuar Ukrainës që ta njohë Kosovën. Në përmbledhjen e publikuar nga Presidenca ukrainase, nuk është përfshirë kjo.

Në konferencën e djeshme, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para mediave në Kyiv, tha se Kosova është krah Ukrainës dhe po e bën atë që po e bëjnë shtetet e tjera, në lidhje me sanksionet e vëna ndaj Rusisë.

Rama i kujtoi Zelenskyyt se Kosova është rreshtuar krah shtetit të tij, edhe pse Ukraina nuk e ka njohur si shtet të pavarur.

Kryeministri shqiptar në konferencë tha se për këtë çështje do të fliste më vonë me Zelenskyyn. Nuk dihet nëse ka folur më tej, por në njoftimin që Presidenca ukrainase ka lëshuar, kjo pjesë e thënë nga Rama nuk është përfshirë.

Zyra e Presidentit Zelenskyy ka bërë një përmbledhje nga ato që u thanë në konferencë, duke u fokusuar kryesisht në aspiratën e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimin Evropian.

Presidenti ukrainas beson se edhe tri shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të bëhen anëtare të BE-së.

“Shtetet tona, Ukraina, Republika e Shqipërisë, Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, duhet të bëhen anëtarë të plotë të BE—së. Dhe, ne pajtohemi se shtetet tona nuk janë në garë, në këtë rrugë evropiane. Ato i plotësojnë dhe forcojnë mundësitë e njëra-tjetres”, ka thënë dje Zelenskyy.

Zelenskyy fjalën e tij e kishte nisur duke i falënderuar Kryeministrat ballkanas dhe popujt e tyre për rreshtimin dhe përkrahjen e Ukrainës, në luftën e nisur nga Rusia, e cila hyri me forcë në territorin ukrainas në fund të shkurtit të këtij viti.

“Ky takim i joni dëshmon përkrahjen e dy Kryeministrave të nderuar dhe, rrjedhimisht, edhe të popujve të këtyre shteteve, për Ukrainën, për integritetin tonë territorial, sovranitetin, qëndrimin tonë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, ka thënë dje në konferencën e përbashkët Presidenti Zelenskyy.

(Kosova Sot Online)