Kurti: Paga minimale është koha e tashme e vazhduar, s’jepet për diçka të para 23 vjetëve

  • E.K /
  • 16 June 2022 - 14:07
Kurti: Paga minimale është koha e tashme e vazhduar, s’jepet për diçka të para 23 vjetëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë në Kuvendin e Kosovës pas miratimit në parim të projektligjit për pagën minimale, e në të cilin projektligj s’janë përfshirë fare veteranët e UÇK-së.

Kurti ka thënë se Qeveria për kategoritë e dala nga lufta jep 120 milionë euro, shumë kjo që është më e lartë se buxheti që ndahet për mbrojtjen dhe sigurinë.

Ai tutje ka deklaruar se në luftën e UÇK-së kanë qenë më shumë se 60 mijë pjesëmarrës, derisa ka theksuar se numri i veteranëve të UÇK-së është i fryrë. Kurti thotë se një gjë e tillë është e gabuar, e si e tillë do t’iu mësohet edhe fëmijeve në shkolla.

Shefi i ekzekutivit thotë e termi pagë minimale është në kohën e tashmë të vazhduar dhe se nuk jepet pagë minimale për diçka të ndodhur para 23 vjetëve. Kurti thotë se veteranët meritojnë kompensim më të madh se paga minimale. Por thotë se për një gjë të tillë, duhet shkuar tek numri i vërtetë i veteranëve.

“Qeveria e Kosovës i ndan 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta. I bie 1.5 % të brutoproduktit vendor, që është me lartë se për mbrojtjen dhe sigurinë”, ka deklaruar Kurti.

“Konsiderojmë se në luftën çlirimtare kanë qenë mbi 60 mijë, por numri i veteranëve është i fryrë, dhe kjo është një gjë e gabuar edhe për historinë që do t’iu mësohet nxënësve dhe brezave të ardhshëm. Sepse është e pavërtetë të konsiderohet një numër i tillë edhe për librat tonë të historisë, edhe për brezat e ardhshëm, por edhe për të huajt që do të vijnë e do ta studiojnë luftën tonë çlirimtare”, ka shtuar tutje.

“Nuk mund ta mashtrojmë askënd dhe nuk duhet ta mashtrojmë askënd. Duhet ti përmbahemi të vërtetës. Ka pasur mjaftueshëm veteran dhe s’ka pasur nevojë që të fryhet numri, pjesëmarrës edhe më shumë se aq, veteranë më duhet të them shumë më pak se aq”, theksoi ai.

“Nuk është respekt e dinjitet paga minimale për veteranin. Paga minimale e ka shprehjen minimale brenda. Paga është ajo që jepet për punën që bëhet. Paga është për kohën e tashme të vazhdueshme, nuk jepet pagë për diçka para 23 vjetëve. Andaj ne jemi që veteranët të kenë kompensim, mirënjohje e falënderim, më të madh se paga minimale, por një numër i vërtetë i tyre. Por duhet të mbërrijmë te numri i vërtetë. Dhe për këtë jam shumë i gatshëm, të bashkëpunojë edhe me organizatat e dala nga lufta, që të vijmë të numri i vërtetë, por edhe te kompenzimi më i madh. Paga minimale nuk mund të quhet respekt dhe dinjitet”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)