Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Domosdoshmëri liberalizimi i vizave për Kosovën

  • E.K /
  • 22 June 2022 - 09:35
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor: Domosdoshmëri liberalizimi i vizave për Kosovën

Manuel Sarrazin, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ka thënë të martën se është e domosdoshme t’i liberalizohen vizat.

Gjatë një interviste për Deutsche Welle, ai ka theksuar se pos kësaj duhet të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të bëhet progres.

“Në Kosovë qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, ka thënë Sarrazin.

Më 24 qershor do të mbahet mbledhja e radhës e Këshillit Evropian ku potencialisht mund të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Si shtete skeptike për këtë proces kanë qenë Franca dhe Holanda.

Por kancelari gjerman, Olaf Scholz i ka kërkuar presidentit francez Emmanuel Macron që ta mbajë premtimin – vizat për Kosovën. 

(Kosova Sot Online)