Bojkot Brukselit? Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia vendosin sot: Çfarë duhet bërë atje?!

  • E.K /
  • 22 June 2022 - 10:53
Bojkot Brukselit? Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia vendosin sot: Çfarë duhet bërë atje?!

Deklarata e kryeministrit Edi Rama ditën e djeshme pas bisedës me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë, Kovaçevski, Vuçiç la të kuptohej se ata po mendojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në Samitin e Bashkimit Europian që mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel. 3 vendet, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut pritet të marrin një vendim final sot në lidhje me pjesëmarrjen në Samit.

Përmes një postimi në rrjete sociale kryeministri Rama dje ka shkruar se mesa duket BE-ja do të refuzojë sërish hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E kjo për shkak të Bullgarisë dhe çështjes së hapur që ka RMV-në.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!“, shkruajti Rama.

Vetoja Bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut qershorin e kaluar, ka bllokuar procesin e negociatave edhe për vendin tonë. BE ka hezituar që t’i trajtojë të ndara në procesin e integrimit, të dy vendet e Ballkanin Perëndimore, më argumentin se do të ishte më mirë për stabilitetin rajonal nëse dy fqinjët mund të përparonin së bashku.

(Kosova Sot Online)