Kurti 2022: S’kam ndryshuar as qëllime as qëndrime

  • E.K /
  • 22 June 2022 - 12:46
Kurti 2022: S’kam ndryshuar as qëllime as qëndrime

Vartësi i kryeministrit Kurti, Besnik Bislimi, dje firmosi një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e cila ishte nënshkruar në vitin 2013 përkatësisht 2015. Por, kryeministri Kurti në replikën ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se s’ka ndryshuar qëndrim, ani pse të njëjtën e kishte kundërshtuar fuqishëm në Kuvend, madje edhe duke nxjerrë vezë nga xhepi për ta goditur ish-kryeministrin Mustafa i cili ishte nënshkrues.

“Unë nuk kam ndryshuar as koncept as qëllime, as qëndrime, mirëpo kam metoda të cilat për konceptin dhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën e mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshta”, tha Kurti.

Ai tha se ‘Elektrosever’ do të licencohet si çdo kompani tjetër për furnizim të energjisë, ani pse e njëjta është pronë e Republikës së Serbisë.

“Si çdo kompani tjetër të furnizimit të energjisë do të kemi edhe në veri që operon nën korrnizën ligjore të Republikës së Kosovës. Edhe licencimi është i kushtëzuar, së treti, marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë të mira, së katërti gjendja në terren është shumë më keq se marrëveshjet e këqija. Prandaj ne kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik”, tha Kurti.

Ai po përballet me kritika nga opozita në Kuvend për marrëveshjen për energjinë me Serbinë të cilën e ka kundërshtuar dhe e njëjta dje është nënshkruar nga qeveria e Kurtit.

(Kosova Sot Online)