Marrëveshja me Serbinë, Kurti iu kërkon deputetëve që t’i besojnë: Po i konsultoj të gjithë për ta bërë më të mirën për vendin
Kryeministri Albin Kurti e theksoi sërish gjendjen e keqe të cilën e ka trashëguar. Ai tha se kjo gjendje është më e keqe sesa marrëveshjet e këqija me Serbinë.
Shefi i Qeverisë iu kërkoi deputetëve që t’i besojnë, pasi tha se po mundohet ta bëjë më të mirën.
“Dhe po e ritheksoj, te trashëgimia, gjendja është më e keqe sesa marrëveshjet e këqija. Prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë. Por duhet ta keni besimin se me krejta çka mundem e dij, e po i konsultoj krejt çka i njoh e s’i kam njohur më herët për të bërë më të mirën për vendin tonë”, tha Kurti, duke iu përgjigjur deputetëve që e pyetën për marrëveshjen me Serbinë.
Ai nuk iu përgjigj decidivisht kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut nëse e konsideron të mirë apo të keqe këtë marrëveshje.
Kryeministri pati kritika edhe për rezolutën e propozuar nga AAK-ja për situatën e sigurisë në vend. Tha se do ta diskutojnë.
“Duhet të kesh njëfarë substance. Do ta diskutojmë edhe me grupin tonë parlamentar këtë gjë”, tha Kurti.
(Kosova Sot Online)