Isa Mustafa: Gati më shkuan lotët për deklaratën e Vjosa Osmanit…

  • E.K /
  • 24 June 2022 - 11:02
Isa Mustafa: Gati më shkuan lotët për deklaratën e Vjosa Osmanit…

Ish-kryetari i LDK-së, ka ironizuar me deklaratën e presidentes Vjosa Osmani dje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, e cila tha se ishte e vetmja në takim që është dashur të marrë vizë. Atij i reaguan menjëherë bashkëpunëtorët e Osmanit.

Mustafa në një shkrim në Facebook tha se Osmani, Kurti e Bulliqi janë ata që e kanë bllokuar liberalizimin e vizave.

“Me pas veç pak fytyrë, Vjosa Osmani e disa të tjerë në Qeveri e në Kuvend do ta mbyllnin gojën për liberalizimin. Presidentja Osmani, nuk u takua sot me bllokuesin e liberalizimit (Makron), ashtu siç u raportua. Por, dy bllokuesit e liberalizimit, Osmani dhe Makron u takuan në Bruksel. Gati më shkuan lotët kur e lexova deklaratën e Vjosës se vetëm asaj i është dashur viza për këtë takim në Brukse. Çfarë ironie. Kjo mendon se populli e ka mbajtje mendjen e peshkut! Është Vjosa Osmani, Albin Kurti, Shpëtim Bulliqi e piromanet e tyre që në vitin 2015 e 2016, kur ne ishim në një pako me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave shpiknin të pavërteta për ta penguar ratifikimin si kusht të liberalizimit”, ka shkruar Mustafa.

Ai tha se presidentes e kryeministrit duhet t’u jepen medalje për mashtrim të popullit.

“Sa njeriut të sëmurë, të papunë e nevojtar për të shkuar në perëndim i është refuzuar viza, e kjo nuk i ka brengosë këta që sot janë në pushtet. Edhe disa në opozitë! Por, këtyre në vend të liberalizimit duhet tu epen medalje për mashtrim të popullit. E lanë pa viza, e ua morën mbi 5o përqind të votave. Aferim!”, ka shkruar ai.

Ndaj deklaratave të Mustafës reaguan deputeti i Guxo, Haxhi Avdyli, këshilltari i Osmani, Bekim Kupina dhe shefi i stafit Blerim Vela.

Deputeti Avdyli e ka quajtur shkatërrues të LDK-së, Isa Mustafën duke e quajtur pensioner idhnak.

“I paftyri që iku nga politika, akoma po moralizon. Ai cili do mbahet mend vetëm për koalicionet e natës me PDK-në përkundër që LDK kishte vendime tjera, shtiret e qan me lot krokodili. Ai që do hyn në historinë si shkatërruesi i LDK-së, flet për liberalizim e do mbahet mend për asociacion. Por ditë të mira po vijnë për Kosovën, pa dyshim, por penzioneri idhnak ska për të bërë lum. KOSOVA sot, nesër e çdo ditë po bën hapa përpara për të dalur nga pusi i Isa Mustafës dhe partisë besnike të tij PDK-së”, ka shkruar ai.

Kurse këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ia ka përmendur Mustafës një fotografi kur më 2016, Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin.

“Paaftësia e mbështjellur me urim. Urime liberalizimi, urime Kosovë! Ky mesazh triumfalist urimi është dhënë më 4 maj 2016. Bashkë me mesazhin është postuar edhe një foto në të cilën shihet z.Isa Mustafa, që me dorën në maus dhe koncentrimin me sytë katër, të bëhej sikur lajmin për liberalizim do ta pranonte me një klikim. Z.Mustafa, ju faktekqësisht uruat para kohës. Ju fatkeqësisht ushqyet shpresën e rreme për qytetarët e këtij vendi, sërish para kohe”, ka shkruar ai ndër të tjera.

Kurse shefi i stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela, e ka quajtur Mustafën, zë të podrumeve politike.

“Zeri i podrumeve politike, Isa Mustafa, nuk e perballon dot faktin se Presidentja Osmani eshte zeri i qytetareve kur kerkon qe shtetet anetare te BE te marrin vendime ne linje me mbeshtetjen deklarative te shprehur sot ne Bruksel per liberalizim te vizave per qytetaret tanë”, ka shkruar ai.

Vela ka thënë se nëse do të kishte fytyrë Mustafa do t’u kërkonte falje qytetarëve për dëmin e pariparueshëm që sipas tij ia ka bërë vendit.

“Andaj, sikur te kishte fytyre shoku Isa Mustafa, sic po shprehet ai (e qe nuk ka), do t’i kerkonte falje qytetareve te Kosoves per demin e pariparueshem qe i ka bere vendit, si vasal i papermiresueshem dhe sherbetor i degjueshem i kapjes se shtetit dhe korrupsionit ne vend”, ka thënë Vela.

(Kosova Sot Online)